ASH: Mesazhet proserbe në Kumanovë nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit

Nga B.M
352 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 maj, Zhurnal.mk – Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë për tubimin që u mbajt dje në Kumanovë, ku përmes thirrjeve provokuese “Rroftë Serbia” dhe “Kosova është e jona”, me flamuj serbë dhe mesazhe të hapura në mbështetje të politikave të Aleksandar Vuçiqit, u lëndua ndjeshmëria politike, historike dhe kombëtare e shqiptarëve, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

“Kumanova është qytet me histori të rëndë, me sakrificë dhe memorie të dhimbshme. Pikërisht për këtë arsye, çdo manifestim që rikthen retorikën nacionaliste dhe mohon realitetin e pavarësisë së Kosovës nuk mund të trajtohet si një ngjarje e zakonshme. Mesazhe të tilla nuk i shërbejnë as paqes, as stabilitetit dhe as bashkëjetesës ndëretnike.

Ballkani ka paguar çmim të lartë nga politikat që nxisin urrejtje, mohime dhe pretendime territoriale. Prandaj, paqja nuk ndërtohet me slogane provokuese, por me respekt të ndërsjellë, me njohjen e realiteteve politike dhe me përgjegjësi institucionale.

Këshilltari i Aleancës për Shqiptarët në Këshillin e Komunës së Kumanovës, Huzeir Mustafi, thekson se tubimi i djeshëm ishte një ngjarje që nuk i shërben atmosferës multietnike dhe bashkëjetesës në qytetin e Kumanovës.

Edhe më shqetësues ishte fjalimi dhe prania e Maksim Dimitrievski, i cili vazhdimisht tregon qasje të njëanshme dhe dallime drastike mbi baza etnike përmes shpërndarjes selektive të projekteve dhe investimeve. Ndërsa mbrëmë, me praninë dhe mbështetjen e tij publike për Vuçiqin, vetëm sa e thelloi më tej këtë perceptim te qytetarët.

Ironikisht, vetëm një ditë më parë në Këshillin Komunal u miratua vendimi për hapjen e zyrës së Bashkimit Evropian në Kumanovë. Prandaj shtrohet pyetja: a është orientimi proevropian i sinqertë apo vetëm formalitet për përfitimin e fondeve, kur fjalët dhe veprimet janë në kundërshtim me njëra-tjetrën?

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga institucionet shtetërore të veprojnë me seriozitet dhe vigjilencë ndaj çdo aktiviteti që mund të nxisë tensione ndëretnike dhe të cenojë harmoninë në shtet. Heshtja ndaj provokimeve të tilla nuk është pjekuri politike, por inkurajim për përsëritjen e tyre.

Në të njëjtën kohë, shqetësues mbetet edhe mungesa e çfarëdo qëndrimi nga VLEN-i. Në momente kur preket dinjiteti kombëtar i shqiptarëve, përfaqësuesit shqiptarë në pushtet nuk mund të sillen si vëzhgues të heshtur. Heshtja e tyre tregon mungesë guximi politik dhe varësi të plotë nga partnerët qeveritarë.

Kumanovës i duhen mesazhe bashkëjetese, respekti dhe stabiliteti, e jo importim i agjendave nacionaliste që përpiqen të mbajnë gjallë tensionet e së kaluarës”, thuhet në reagim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër