Shkup, 21 mars – Nuk ka asnjë garanci juridike apo politike që mund t’i jepet qeverisë së Maqedonisë së Veriut se nuk do të ketë bllokada të reja nga Sofja, thotë në një intervistë televizive ambasadori italian në vend, Paolo Palminteri.
“Procesi i zgjerimit është kompleks, me klasterë, kapituj dhe kritere, dhe çdo hap kërkon unanimitet nga BE-ja. Prandaj, çdo garanci do të kishte vlerë të kufizuar. Garancia më e mirë është klima e besimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe fqinjëve”, thekson Palminteri.
Ai shton se ndryshimet kushtetuese dhe kriteret e Kopenhagës mbeten kyçe për procesin e anëtarësimit. Por sipas tij, pasi vendet bëhen anëtare të plota të BE-së, çështjet bilaterale politike humbasin rëndësinë.
“Ndryshimet kushtetuese ishin kushti i fundit për hapjen e negociatave, ndërsa marrëdhëniet e mira me fqinjët duhet të ruhen gjatë gjithë procesit. Sipas përvojës sime me Kroacinë dhe Slloveninë, edhe pse kishim çështje të hapura me to, pas anëtarësimit të tyre në BE, ato çështje e humbën plotësisht rëndësinë politike”, përfundon ambasadori.
