Shkup, 27 qershor – Vazhdojnë ende negociatat mes partnerëve qeveritarë ZNAM dhe VMRO-DPMNE lidhur me zgjedhjet lokale, raporton TV21. Edhe pse partia e Maksim Dimitrievskit ka deklaruar se do të garojë e pavarur, megjithatë, do të ketë mbështetje të ndërsjellë, sepse, siç tha zëdhënësi i ZNAM-it Nikolla Memov, atje ku ZNAM do të ketë kandidat, VMRO-DPMNE nuk do të ketë, por do të japë mbështetje që në rrethin e parë.
Sipas informacioneve, ZNAM do të ketë kandidat të vetin për Komunën Qendër, gjë që do të thotë se VMRO-DPMNE nuk do të garojë në këtë komunë të Shkupit.
“Nëse kandidati për kryetar të komunës Qendër do të jetë nga radhët e ZNAM, atëherë VMRO-DPMNE nuk do të ketë kandidat për Komunën Qendër. E njëjta gjë do të vlejë edhe për komunat tjera, atje ku ne si ZNAM do të kemi kandidatin tonë, kjo praktikisht do të thotë pjesëmarrje e pavarur e ZNAM-it me mbështetje të ndërsjellë nga partneri qeveritar VMRO-DPMNE”, tha Nikolla Memov, zëdhënës i ZNAM.
Venko Filipçe, kryetari i partisë opozitare LSDM, më 20 qershor i ka publikuar 19-të emrat për kandidatë në zgjedhjet e ardhshme lokale për kryetar. Disa nga emrat tashmë janë kryetar në disa komuna.
Ndryshe, në fillim të muajit nëntor, opozita në Maqedoninë e Veriut kërkoi që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të jenë së bashku me zgjedhjet lokale. Kryeministri Hristijan Mickoski në maj të vitit 2024 refuzoi këtë ide.
Ndryshe, zgjedhjet e fundit të njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultate, Koalicioni VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, koalicioni i LSDM-së 18 deputetë, koalicioni Fronti evropian 18 deputetë, 14 deputetë fitoi koalicioni VLEN dhe nga gjashtë deputetë “Levica” dhe ZNAM.

