Prishtinë, 4 prill Zhurnal.mk – “Prokuroria duhet të ndalojë çdo ndërhyrje në njehsorët elektrikë, pasi veprime të tilla mund të çojnë në zhdukjen e provave,” ka deklaruar anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi.
Ai ka theksuar se ndërrimi i njehsorëve në shtëpi dhe banesa, veçanërisht në rastet kur ekzistojnë dyshime për matje të pasakta të energjisë, ngre shqetësime serioze për pengim të hetimeve.
Azemi ka kërkuar që të pezullohen menjëherë veprimet e KEDS-it dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë deri në përfundimin e hetimeve dhe sigurimin e të gjitha provave të nevojshme.
“Çdo veprim që mund të rezultojë në fshehje, largim apo manipulim të provave përbën shkelje ligjore dhe duhet të trajtohet si vepër penale,” ka shtuar ai.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të reagojnë pa vonesë, në mënyrë që të mos dëmtohet procesi hetimor dhe të mundësohet zbardhja e plotë e rastit.
Ndryshe ditë më parë gjatë një konference për media, Visar Azemi, ngriti akuza për manipulim sistematik të faturimit të energjisë elektrike, i cili sipas tyre ka dëmtuar qytetarët me miliona euro.
Sipas të dhënave të prezantuara nga LDK-ja, nga një mostër prej 9000 njehsorësh të inspektuar në rajonin e Prishtinës dhe Ferizajt, rreth 87% kanë treguar pasaktësi në matjen e kohës dhe konsumit të energjisë. Përfaqësues të kësaj partie theksuan se nuk bëhet fjalë për gabime teknike të rastësishme, por për një manipulim të mundshëm sistematik.
