Balla: Kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor duhet të jetë e fokusuar në çështje konkrete

Nga D. V.
325 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 7 prill Zhurnal.mk –  Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor duhet të jetë e fokusuar në një çështje konkrete.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla komentoi rrëzimin e kërkesave të opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për ARRSH-në dhe për  dhe AKSHI-n.

Balla theksoi se kërkesa duhet të fokusohet në një çështje të veçantë, ndërsa solli në vëmendje se këtë ka kërkuar edhe Gjykata Kushtetuese.

“Komisioni hetimor nuk duhet të jetë një ekspeditë peshkimi. Duhet të vish me çështje konkrete. Kërkesa e parë që u shqyrtua në rend dite ishte ajo ku një kolege e opozitës tha se do të hetohet dhe nëna natyrë, moti apo Perëndia se ka sjellë shumë shi”, tha Balla.

Sipas tij, në rastin e komisionit hetimor për ARRSH-në opozita ka kërkuar të hetohen të gjitha procedurat nga viti 2014 deri në vitin 2025.

“Ndërkohë që nuk ka një çështje specifike. Çfarë do të hetojnë dhe si? Mënyrën e prokurimit?! Apo duan të hetojnë mënyrën e supervizimit dhe legjislacionin mbështetës për këtë procedurë. Hajde e bëjmë, por nuk mund të vish dhe të thuash ‘ka ndodhur kjo, ajo’”, tha Balla.

Balla u shpreh se “nëse opozita nuk di të formulojë një kërkesë për komision hetimor, mazhoranca është e gatshme të ofrojë një lloj ekspertize”.

Lidhur me kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për funksionalitetin e AKSHI-t, Balla sqaroi se kjo është një çështje nën hetim dhe Kuvendi e ka të pamundur të ndërhyjë në një proces hetimor.

“Ne japim mbështetje të plotë ndaj prokurorisë e posaçme apo të rretheve në të gjitha hetimet që ato kryejnë për sa i përket çështjeve të sipërpërmendura, por Kuvendi nuk mund të ndërhyjë në në kompetencat e gjyqësorit, kur këto hetime po kryhen nga pushteti gjyqësor”, tha Balla.

Balla siguroi se dëshira e mazhorancës për të miratuar çdo kërkesë që vjen nga opozita, është e palimituar, por duhet të vijnë në formën që e kërkon ligji dhe Kushtetuta.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër