Balla takim me Hofreiter: Mirënjohje Gjermanisë për mbështetjen në rrugëtimin europian të Shqipërisë

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, priti sot në mjediset e Kuvendit kryetarin e Komitetit për Çështjet e Bashkimit Europian në Bundestagun gjerman, Anton Hofreiter.

Në qendër të takimit ishte ecuria e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, avancimi i negociatave për anëtarësim dhe bashkëpunimi i ngushtë me Gjermaninë në mbështetje të këtij procesi.

Balla vlerësoi rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bundestagut dhe Qeverisë Federale të Gjermanisë ndaj Shqipërisë, duke nënvizuar rëndësinë e këtij partneriteti në rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Europian.

“Mirënjohje Bundestagut dhe Qeverisë Federale për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin europian të Shqipërisë. Ecim përpara drejt përmbylljes së negociatave brenda vitit 2027”, u shpreh Balla.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mbi vijimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit, forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe rëndësinë e mbështetjes së mëtejshme të partnerëve europianë për avancimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.

Shqipëria mbetet e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i negociatave, me synimin për të avancuar në mënyrë të qëndrueshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër