PDK i bën thirrje Qeverisë: Të dërgohet sa më parë në Kuvend Ligji për Specialen

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 29 shtator, Zhurnal.mk – Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që sa më shpejt ta procedojë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Nisma ligjore tashmë i është dërguar Qeverisë për shqyrtim.

Kërkesa është bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, i cili tha se Qeveria nuk duhet ta zvarrisë procesin dhe se projektligji duhet të kthehet në Kuvend për shqyrtim dhe votim.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të nisë pa vonesë procedurat për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Qeveria e Kosovës nuk duhet të guxojë ta zvarrisë këtë proces”, tha Tahiri në një konferencë për media.

Ai kërkoi gjithashtu mbështetje institucionale dhe financiare për ekipet mbrojtëse dhe u bëri thirrje partive politike për, siç tha, maturi dhe përgjegjësi në këtë proces.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se ndryshimet e propozuara, sipas tij, nuk cenojnë detyrimet që Kosova ka marrë përmes amendamenteve kushtetuese dhe marrëveshjes së ratifikuar me Bashkimin Evropian.

Gruda argumentoi se projektligji synon të krijojë mundësi për trajtimin e çështjeve të caktuara juridike brenda sistemit të Kosovës. Ai kërkoi që Qeveria ta procedojë sa më shpejt nismën në Kuvend.

Kjo kërkesë vjen një ditë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ishte dërguar për mendim në Qeveri më 25 shtator.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër