Tiranë, 18 maj, Zhurnal.mk – Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu në një deklaratë sot për mediet, u shpreh se arrestimi i shefit të Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, nuk është gjë tjetër veçse pjesë e skenarit të luftës së bandave brenda Policisë së Shtetit dhe qeverisë për kontroll territoresh.
Balliu tha se Bashllari u emërua në këtë detyrë si njeri besnik i partisë nga Ilir Proda dhe nuk u arrestua së bashku me zinxhirin komandues sepse shkelën ligjin për lejimin e disa kateve pa leje. Balliu e cilësoi arrestimin si luftë për territoret e fitimit, siç u shpreh ai, edhe te lojërat e fatit dhe bastet.
Balliu deklaroi se “Partia Demokratike dënon me forcë kriminalizimin e Policisë së Shtetit, i cili ka filluar që në epokën Tahiri dhe vazhdon me ritme të njëjta, ose edhe më shumë, sot e kësaj dite”.
“Në rast se Hitaj arrestoi Bashllarin, do të emërojë në vend të tij një Bashllar tjetër, i cili njësoj do të mbyllë sytë para trafikut të drogës, luftës për territore të bandave apo kriminalitetit”, tha Balliu.
“Partia Demokratike bën thirrje që të ndalet kriminalizimi i mëtejshëm i Policisë së Shtetit, kupola e së cilës është mbushur me patronazhistë, militantë dhe persona të krimit të organizuar. Kjo strukturë sot e kësaj dite gëlon nga Bistrët, Prodat dhe Bashllarët apo të tjerë”, u shpreh Balliu.
“Lufta kundër krimit bëhet nga punonjës me integritet dhe moral, të cilët Shqipërisë fatmirësisht nuk i mungojnë, por fatkeqësisht ata janë nën thundrën e krimit të organizuar dhe militantëve të pushtetit”, përfundoi Balliu.
