Begaj: Ballkani Perëndimor, me rëndësi strategjike për NATO-n

Nga D. V.
457 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 maj, Zhurnal.mk – Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen që po zhvillohet në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë të Forcave tona të Armatosura.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve të sigurisë kombëtare, ushtarake shqiptare dhe vendeve aleate e partnere nga Bullgaria, Greqia, Turqia, Italia, Hungaria, Kroacia, Kosova, Polonia dhe Jordania, të cilët janë pjesë e një prej programeve më të rëndësishme që ofron sistemi arsimor ushtarak shqiptar.

Presidenti Begaj përgëzoi Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë për zhvillimin e këtij kursi, teksa vlerësoi frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, ndërtimin e besimit dhe krijimin e lidhjeve midis përfaqësuesve të profesionistëve civilë dhe ushtarakë nga agjenci dhe vende të ndryshme.

Bashkëbisedimi u fokusua në temat që lidhen me zhvillimet gjeopolitike, sigurinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit midis partnerëve dhe aleatëve, siç përfaqëson përbërja e këtij kursi.

Në përgjigje të interesimit të anëtarëve të Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Presidenti theksoi rëndësinë që ka për Shqipërinë stabiliteti dhe siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kreu i Shtetit theksoi se në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht progresit të madh drejt integrimit Euroatlantik, zhvillimet politike janë komplekse.

“Në kontekstin e dinamikës gjeopolitike dhe konflikteve ndërkombëtare, Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për Aleancën”, vlerësoi Kreu i Shtetit.

Në këtë aspekt, një çështje e rëndësishme është Kosova. Presidenti i Republikës theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare për integrimin e Kosovës, veçanërisht për shtimin e njohjeve të saj, anëtarësimin e saj në NATO, si dhe pjesëmarrjen në misionet e Aleancës si një akt që i shërben forcimit të sigurisë në rajon.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër