Banka Popullore, së bashku me institucionet kompetente në bashkëpunim me BEI, nis hartimin e Taksonomisë Kombëtare të Gjelbër

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 shtator, Zhurnal.mk – Në kuadër të Programit për sisteme financiare të gjelbra (Greening Financial Systems Programme), në bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve, Banka Popullore, së bashku me ministritë dhe institucionet kompetente, kanë nisur aktivitetet për hartimin e Taksonomisë Kombëtare të Gjelbër, njofton Banka Popullore.

Taksonomia e gjelbër paraqet sistem kombëtar për klasifikimin e aktiviteteve ekonomike që konsiderohet se kontribuojnë në realizimin e objektivave për mbrojtjen e mjedisit (aktivitetet ekonomike të qëndrueshme). Bëhet fjalë për një rregullore që ka për qëllim vendosjen e kritereve të qarta dhe të bazuara shkencërisht për klasifikimin e aktiviteteve ekonomike në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe standardet ekologjike.

„Taksonomia u mundëson investitorëve, kompanive, bankave dhe bartësve të politikave ekonomike të përcaktojnë aktivitetet e gjelbra dhe të orientojnë burimet për mbështetjen e kalimit drejt një ekonomie me emetim të ulët të karbonit. Njëkohësisht, taksonomia rrit transparencën dhe lehtëson sistemin e publikimit të të dhënave të lidhura me ndryshimet klimatike, kontribuon në parandalimin e manipulimit ekologjik (greenwashing) dhe mundëson zhvillimin e instrumenteve financiare të gjelbra“, theksoi guvernatori i Bankës Popullore, dr. Trajko Slaveski, në takimin me Bjorn Gabriel, shef i zyrës së BEI në vend.

„Me vendosjen e një gjuhe të përbashkët për bartësit e politikave, bankat, kompanitë dhe investitorët, taksonomia do të kontribuojë për transparencë më të madhe dhe koherencë në përcaktimin dhe financimin e aktiviteteve për ‘gjelbërim’“, deklaroi Gabriel. „Kjo do të ndihmojë në tërheqjen e investimeve dhe do të nxisë produkte të reja financiare të gjelbra, duke mbështetur dekarbonizimin e industrisë dhe përshtatjen klimatike të kompanive“, shtoi Gabriel.

Me hartimin dhe miratimin e taksonomisë së gjelbër të shtetit do të mundësohet harmonizimi gradual i legjislacionit maqedonas me rregulloren evropiane dhe me standardet e praktikat ndërkombëtare në këtë fushë, si dhe rritja e transparencës për nivelin e qëndrueshmërisë së sektorëve ekonomikë ndaj rreziqeve që burojnë nga ndryshimet klimatike. Parashikohet që Taksonomia e Gjelbër të përshtatet me kushtet dhe specifikat e ekonomisë maqedonase dhe gradualisht të harmonizohet me legjislacionin evropian.

Kjo ndihmë teknike realizohet në kuadër të partneritetit mes BEI dhe Bankës Popullore përmes programit “Financa të gjelbra”. Me programin u sigurua trajnim i dedikuar dhe u prezantua mjeti “Menaxher për rreziqet klimatike”, duke i mundësuar bankës qendrore të vlerësojë rreziqet klimatike dhe të mbështesë institucionet financiare në harmonizimin me standardet ndërkombëtare. Programi financohet nga Gjermania dhe Luksemburgu përmes Fondit për financa të gjelbra, i cili është fond shumëdonator i themeluar nga BEI Global me qëllim kontributin në zhvillimin e sistemeve financiare rezistente ndaj ndryshimeve klimatike në mbarë botën, thuhet në njoftimin e Bankës Popullore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër