Tiranë/Shkup, 24 Prill, Zhurnal.mk – Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) Belind Këlliçi, tha sot se Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka përdorur fjalor ofendues ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në një shkëmbim të brendshëm përmes Whatsapp.
Sipas pretendimeve të Këlliçit, në një komunikim në grup, ministri është shprehur: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”, në një reagim të ministrit Hoxha ndaj një artikulli të një mediumi në Maqedoni të Veriut për projektin Korridori 8.
Këlliçi tutje thotë se teksti në fjalë është fshirë më pastaj nga ministri Hoxha.
Këlliçi ka publikuar edhe copëza fotosh nga komunikimi i pretenduar, të cilat deri më tash nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur e të cilat zëdhënësi i ministrit Hoxha i ka mohuar dhe i ka cilësuar të sajuara.
Mirëpo reagimet ndaj ofendimit të pretenduar, kanë bërë jehonë të madhe.
“Lehtësia me të cilën ai shprehet në këtë mënyrë fyese, është pak të thuhet arrogancë. Ky etiketim, kjo gjuhë ordinere i ka habitur aq shumë punonjësit e Ministrisë së Jashtme që janë pjesë e këtij grupi komunikimi në whatsapp, sa kanë nisur ta shpërndajnë. Ferit Hoxha nuk mund të jetë një kryediplomat i Tiranës nëse mendon në këtë mënyrë për shqiptarët,” ka filluar së pari vet Këlliçi në Facebook.
Ka vazhduar kolegu i tij partiak Gazment Bardhi, i cili edhe kërkoi dorëheqjen e Hoxhës.
“Dënoj me forcën më të madhe dhe pa asnjë ekuivok deklaratën skandaloze dhe fyese të Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, drejtuar shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Është e papranueshme dhe e patolerueshme që një zyrtar i lartë publik t’u referohet shqiptarëve si ‘idiotë’. Një qëndrim i tillë e përjashton menjëherë nga çdo funksion publik dhe e bën të pamundur vijimin e ushtrimit të detyrës, qoftë edhe për një minutë më shumë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për ministrin përgjegjës për përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare,” ka shkruar Bardhi.
“Ferit Hoxha duhet të japë menjëherë dorëheqjen. Çdo vonesë është e pajustifikueshme. Kryeministri ka detyrimin politik dhe institucional ta shkarkojë pa asnjë hezitim dhe të distancohet publikisht dhe qartë nga kjo gjuhë fyese dhe e papranueshme, që të kujton retorika të errëta të së kaluarës kundër shqiptarëve. Çdo minutë më shumë në detyrë është një fyerje për shqiptarët dhe një njollë për Republikën e Shqipërisë,” shtoi ai më tutje.
Madje ai në një tekst të dytë, po në Facebook, e ofendoi ministrin Hoxha.
“Çfarë idioti! Ministri i Jashtëm fshin mesazhin përçmues për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut pasi skandali u bë publik. Të quash shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ‘idiotë’ në një komunikim me ambasadorët nuk është lapsus. Është mentalitet politik. Nuk ka asnjë fabrikim. Ka vetëm një ministër të Jashtëm arrogant dhe të padenjë për detyrën,” shkruan Bardhi.
Këlliçi ka vazhduar edhe ai me reagimin e dytë të tij.
Në reagimin e tij, Këlliçi shtron pyetjen nëse ministri do të mbajë përgjegjësi për mënyrën si është shprehur, duke theksuar se komunikimi i zhvilluar në një grup “chat” brenda Ministrisë së Jashtme, mes titullarit dhe funksionarëve të lartë, sipas tij, tregon qartë qëndrimin real të Hoxhës ndaj bashkëkombasve.
“Lehtësia me të cilën ai shprehet në këtë mënyrë fyese është më shumë se arrogancë. Kjo gjuhë ordinere ka habitur vetë punonjësit e Ministrisë së Jashtme, të cilët kanë nisur ta shpërndajnë mesazhin”, thekson Këlliçi.
Edhe ai kërkoi dorëheqjen e ministrit.
“Ferit Hoxha nuk mund të jetë kryediplomat i Tiranës nëse mendon në këtë mënyrë për shqiptarët. Edhe në një audiencë të kufizuar, një diplomat i tillë nuk mund të përdorë këtë gjuhë. Është e papranueshme”, tha deptueti i PD-së.
Zëdhënësi i ministrit Hoxha, Alteo Hysi, i ka mohuar pretendimet e Këlliçit.
“Ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është i paqenë. Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend. Kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se anëtarë të shërbimit të jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre. Ministri Hoxha shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme”, thuhet në reagimin e Hysit.
