Paralajmërim për pritje të gjata në kufi: Biznesi kërkon shtyrjen e sistemit EES gjatë verës

Nga Xh M
452 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Athinë, 24 prill Zhurnal.mk – Shoqata e Odave Ekonomike ka paraqitur një kërkesë zyrtare ndaj Greqisë për shtyrjen e zbatimit të sistemit EES (Entry/Exit System) gjatë sezonit veror, për të shmangur pritjet e gjata në kufi si pasojë e fluksit të madh të turistëve nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Në emisionin “Biznes 21” në TV21, kryetari i Odës së Turizmit dhe Hotelerisë pranë SSK-së, Arkan Kerim, paralajmëroi se nëse kërkesa nuk pranohet, qytetarët mund të përballen me pritje të gjata që mund të zgjasin edhe dhjetëra orë.

“Ne kemi mbështetje nga e gjithë Greqia veriore, përfshirë hotelierët, që kjo shtyrje të realizohet. Bashkimi Evropian u lejon disa shteteve anëtare që në periudha të caktuara ta pezullojnë sistemin dhe të përdorin përkohësisht sistemin e vjetër, sepse përndryshe kjo do të krijojë probleme serioze,” deklaroi Kerim.

Sipas tij, ndryshe nga aeroportet që janë më të pajisura për përballimin e këtij sistemi, në pikat kufitare tokësore situata është më komplekse. Ai theksoi se kontrolli për një veturë me një familje katëranëtarëshe mund të zgjasë deri në 10 minuta, çka nënkupton se brenda një ore mund të kalojnë vetëm rreth gjashtë automjete.

“Në këto kushte, do të kemi skenarë me pritje 10–12 orë në kufi, dhe ky do të ishte një skenar optimist. Pritjet mund të jenë edhe më të gjata,” shtoi ai.

Biznesi turistik kërkon reagim të shpejtë nga autoritetet për të shmangur bllokimin e qarkullimit gjatë sezonit të verës, kur mijëra qytetarë udhëtojnë drejt bregdetit grek.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër