BDI: Asnjë zëvendëskryeministër shqiptar nuk ka kryesuar asnjë seancë të Qeverisë

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 gusht Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me rolin e zëvendëskryeministrave shqiptarë në Qeverinë aktuale, duke pretenduar se që nga qershori i vitit 2024 e deri më sot, asnjëri prej tyre nuk ka kryesuar as edhe një seancë të vetme të Qeverisë.

Sipas BDI-së, bëhet fjalë për zëvendëskryeministrin e parë Izet Mexhiti, zëvendëskryeministrin Bekim Sali dhe zëvendëskryeministrin Arben Fetai.

“Izet Mexhiti – 0 seanca. Bekim Sali – 0 seanca. Arben Fetai – 0 seanca. Totali: zero”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas BDI-së, kjo shifër, siç pretendojnë ata, tregon peshën reale politike të përfaqësimit shqiptar në Qeverinë aktuale, pavarësisht titujve dhe funksioneve zyrtare.

“Pozita mund të quhet ‘zëvendëskryeministër i parë’, mund të ketë zyrë, kabinet, veturë dhe protokoll, por nëse për më shumë se dy vjet nuk të besohet drejtimi as i një seance të vetme të Qeverisë, atëherë është legjitime të pyetet: çfarë është ‘i parë’ në këtë funksion?”, shprehet BDI.

BDI krahason situatën aktuale me qeveritë e kaluara, duke pretenduar se atëherë funksioni i zëvendëskryeministrave kishte rol më të madh në bashkëqeverisjen politike dhe institucionale.

“Në qeveritë e kaluara, funksioni i zëvendëskryeministrave ishte mekanizëm real politik dhe institucional i bashkëqeverisjes. Sot është reduktuar në dekor”, thuhet më tej në reagim.

BDI thekson se, sipas saj, çështja kryesore nuk është numri i posteve të marra, por niveli i ndikimit në proceset vendimmarrëse.

“Dhe kjo është çështja kryesore: jo sa poste kanë marrë, por sa vendimmarrje kanë në dorë”, thekson BDI.

Në fund, BDI e përmbledh kritikën e saj me shifrën zero, duke pretenduar se zëvendëskryeministrat shqiptarë nuk kanë kryesuar asnjë seancë të Qeverisë dhe, rrjedhimisht, nuk kanë pasur rol të tillë në vendimmarrjen e saj.

“0 seanca të kryesuara me 0 vendimmarrje”, përfundon reagimi i BDI-së.

artikuj të ndërlidhura