Shkup, 31 korrik, Zhurnal.mk – BDI sot përmes një pres konference ka shprehur shqetësimin e saj për humbjen e 60.77 milionë eurove grant nga Bashkimi Evropian, mjete të pakthyeshme të destinuara për ndërtimin e seksionit të tretë të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Bullgarisë. Sipas tyre, qytetarët duhet ta dinë se në fund të vitit 2023, kur BDI ishte pjesë e qeverisjes, u sigurua paketa më e madhe financiare për këtë projekt, në vlerë prej rreth 560 milionë euro.
Kumtesa e plotë:
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar qytetarë,
Sot jemi këtu për të folur për një dështim serioz të kësaj qeverie – humbjen e 60.77 milionë eurove grant nga Bashkimi Evropian, mjete të pakthyeshme të destinuara për ndërtimin e seksionit të tretë të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Bullgarisë.
Këto nuk janë vetëm para. Janë një mundësi historike e humbur për zhvillimin ekonomik të vendit, për modernizimin e infrastrukturës dhe për forcimin e lidhjes sonë me Evropën.
Sipas dokumenteve zyrtare të dorëzuara nga vetë Qeveria në Kuvend, këto fonde IPA nuk janë më të disponueshme sepse tenderi i shpallur në vitin 2024 është anuluar dhe kontrata për ndërtimin e seksionit të tretë të hekurudhës nuk është lidhur brenda afatit të përcaktuar.
Pra, humbja e 60.77 milionë eurove nuk është një pretendim politik. Është pasojë e dokumentuar në aktet zyrtare të institucioneve.
Qytetarët duhet ta dinë se në fund të vitit 2023, kur BDI ishte pjesë e qeverisjes, u sigurua paketa më e madhe financiare për këtë projekt, në vlerë prej rreth 560 milionë euro:
* 175 milionë euro kredi nga Banka Evropiane e Investimeve;
* 175 milionë euro kredi nga BERZH;
* 149 milionë euro grant nga WBIF;
* 60.77 milionë euro grant IPA nga Bashkimi Evropian.
Ky ishte rezultat i besimit të partnerëve evropianë dhe i punës për ta vendosur Korridorin 8 si prioritet strategjik të shtetit.
BDI e ka paralajmëruar me kohë se kjo qeveri nuk e ka Korridorin 8 prioritet. Ne kemi thënë se zvarritja e projektit dhe ndryshimi i prioriteteve do të sjellin pasoja. Sot, fatkeqësisht, qytetarët po përballen me rezultatin – humbjen e fondeve evropiane.
Korridori 8 nuk është thjesht një projekt infrastrukture. Ai është korridor panevropian, pjesë e rrjetit strategjik të transportit të Bashkimit Evropian dhe me rëndësi të veçantë për NATO-n. Ai lidh Adriatikun me Detin e Zi, forcon sigurinë rajonale dhe krijon mundësi të reja ekonomike për vendin tonë.
Për këtë arsye, BDI vlerëson se veprimet dhe mosveprimet e kësaj qeverie krijojnë dyshime serioze për qasjen e saj ndaj projekteve strategjike euroatlantike. Zvarritja e Korridorit 8 dhe humbja e fondeve evropiane krijojnë përshtypjen se projektet me rëndësi për NATO-n dhe Bashkimin Evropian po lihen në plan të dytë.
Sot kërkojmë përgjigje të qarta:
Kush mban përgjegjësi për humbjen e 60.77 milionë eurove?
Pse nuk u përmbushën afatet për realizimin e projektit?
A do të duhet tani që qytetarët ta mbulojnë nga buxheti i shtetit atë që Bashkimi Evropian ishte i gatshëm ta financonte si grant?
BDI do të vazhdojë të mbrojë orientimin euroatlantik të vendit dhe realizimin e Korridorit 8, sepse ky projekt nuk është pronë e asnjë partie politike. Është interes strategjik i shtetit dhe i qytetarëve.
Ne e siguruam financimin. Ne e vendosëm Korridorin 8 në agjendën evropiane. Sot kërkojmë përgjegjësi për humbjen e një mundësie historike.
Faleminderit.
