“BE dhe Ti – Evropa fillon këtu”, nis cikli i bashkëbisedimeve me të rinjtë

Nga D. V.
339 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha njoftoi sot nisjen e një cikli bashkëbisedimesh me të rinjtë dhe studentët në mbarë vendin, në kuadër të nismës “BE dhe Ti – Evropa fillon këtu”.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se aktiviteti u çel së bashku me ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ndërsa në vijim pritet t’i bashkohet edhe Kryenegociatorja për integrimin evropian, Majlinda Dhuka.

Hoxha theksoi se, ndalesa e parë e turit u zhvillua në Shkollën e Magjistraturës, ku u zhvillua një bashkëbisedim me studentë dhe magjistratë të ardhshëm.

“Qëllimi ynë është i qartë: të bisedojmë për Evropën, për procesin e integrimit, si dhe për të sotmen e të ardhmen tonë të përbashkët, nën titullin “BE & Ti – Evropa fillon këtu””, theksoi Hoxha.

Ai nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në procesin e integrimit, duke theksuar se reformat realizohen në vend, ndërsa ndikimi i tyre prek drejtpërdrejt qytetarët.

“Takimet zhvillohen shpesh në Bruksel, por reformat bëhen këtu; monitorimi kryhet atje, por ndikimi ndihet këtu; vendimet merren atje, por rezultatet mbeten këtu, tek qytetarët”, u shpreh ministri.

Hoxha e cilësoi procesin e anëtarësimit në Bashkimi Evropian si një përpjekje të përbashkët kombëtare.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është kantieri ynë madhor, ku secili prej nesh ka një rol. Është një histori që po e shkruajmë së bashku, çdo ditë, me punë dhe përkushtim”, deklaroi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër