BE ende pa marrëveshje për kompensimin e pasagjerëve pas vonesave të fluturimeve

Nga D. V.
572 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 03 qershor, Zhurnal.mk – Negociatat mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian për reformimin e shumëdiskutuar, të të drejtave të pasagjerëve ajrorë nuk kanë arritur ende një kompromis, duke lënë të paqartë të ardhmen e ndryshimeve të propozuara.

Parlamenti Evropian bëri të ditur se bisedimet do të vazhdojnë, por theksoi se eurodeputetët nuk janë të gatshëm të pranojnë një marrëveshje, që do të dobësonte mbrojtjen ekzistuese të pasagjerëve.

Ndërkohë, presidenca qipriote e BE-së deklaroi se negociatat do të vijojnë sot pasdite, duke vlerësuar se një marrëveshje është ende e arritshme.

Nga ana tjetër, Parlamenti Evropian nuk dha detaje se kur do të rifillojnë zyrtarisht bisedimet.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në mesin e qershorit, afati i propozimit për reformën, i paraqitur fillimisht nga Komisioni Evropian në vitin 2013, do të përfundojë, duke lënë në fuqi rregullat aktuale të BE-së për të drejtat e pasagjerëve.

Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mbetet kompensimi për vonesat e fluturimeve.

Sipas rregullave aktuale, pasagjerët mund të përfitojnë kompensim, nëse fluturimi i tyre mbërrin me të paktën tre orë vonesë.

Vitin e kaluar, shtetet anëtare të BE-së propozuan rritjen e këtij kufiri në katër orë, për shumicën e fluturimeve dhe në gjashtë orë për fluturimet ndërkontinentale, si dhe uljen e shumave të kompensimit në disa raste.

Parlamenti Evropian i ka kundërshtuar këto ndryshime dhe ka kërkuar ruajtjen në thelb të sistemit aktual.

Sipas propozimit të tij, pasagjerët do të vazhdonin të kishin të drejtë kompensimi, pas tre orësh vonesë ose në rast anulimi të fluturimit, do të përfitonin 300 euro për udhëtime deri në 1,500 kilometra, 400 euro për fluturime deri në 3,500 kilometra dhe 600 euro për itinerare më të gjata.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër