VLEN përshëndet vizitën e António Costës në Shkup: Konfirmim i rëndësishëm i perspektivës evropiane të vendit

Nga D. V.
666 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 03 qershor, Zhurnal.mk –  Koalicioni VLEN ka përshëndetur vizitën e Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, në Shkup, duke e vlerësuar atë si një konfirmim të rëndësishëm të perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian për rrugën eurointegruese të vendit.

Në një reagim publik, VLEN thekson se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet përcaktim strategjik i shtetit dhe aspiratë e gjeneratave të tëra të qytetarëve.

“Integrimi në Bashkimin Evropian është përcaktimi ynë strategjik dhe aspiratë e gjeneratave të tëra. Vizita e Presidentit Costa është inkurajim për të vazhduar me përkushtim reformat dhe proceset që e afrojnë vendin me familjen evropiane”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Koalicioni nënvizon se do të vazhdojë të japë kontributin e tij institucional në procesin e integrimit evropian përmes angazhimit të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit për Çështje Evropiane, Bekim Sali, duke e mbajtur agjendën reformuese në qendër të proceseve eurointegruese.

Sipas VLEN-it, reformat, dialogu dhe puna institucionale mbeten elemente kyçe për avancimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“VLEN mbetet e përkushtuar që, përmes punës, dialogut dhe reformave, të kontribuojë në ndërtimin e një të ardhmeje plotësisht evropiane për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagim.

Vizita e Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, në Shkup zhvillohet në kuadër të kontakteve të vazhdueshme ndërmjet institucioneve evropiane dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në funksion të avancimit të procesit të integrimit evropian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër