Begaj pret ambasadoren de Sousa: Anëtarësimi i plotë në BE në 2030-ën, objektiv strategjik

Nga D V
680 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 2 shtator, Zhurnal.mk – Presidenti Bajram Begaj priti sot ambasadoren e re të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale.

Presidenti Begaj i uroi Ambasadores suksese në detyrën e saj në krye të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, duke vlerësuar rolin kyç të këtij institucioni në forcimin e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Brukselit dhe në mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Kreu i Shtetit shprehu besimin se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shqiptare dhe Delegacionit të BE-së në Tiranë do të vijojë të thellohet, me synim arritjen e objektivit strategjik të Shqipërisë për anëtarësim të plotë në vitin 2030.

Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen politike, financiare dhe teknike të Bashkimit Evropian për reformat transformuese në Shqipëri, duke theksuar se Delegacioni i BE-së në Tiranë është një partner i besuar dhe një bashkëpunëtor i rëndësishëm në këtë proces.

Gjatë takimit u diskutua ecuria e negociatave të anëtarësimit dhe angazhimi i Shqipërisë për përmbushjen e reformave dhe standardeve evropiane.

Presidenti Begaj nënvizoi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të avancuar dhe dinamike të procesit të integrimit, duke dëshmuar vullnet të palëkundur politik dhe mbarëshoqëror, si dhe gatishmëri institucionale për të vijuar me përmbushjen e detyrimeve të anëtarësimit.

Kreu i Shtetit vlerësoi reformën në drejtësi si një nga dëshmitë më të rëndësishme të vendosmërisë së Shqipërisë për të përmbushur standardet evropiane, pavarësisht sfidave të procesit.

Ai rikonfirmoi angazhimin për forcimin e pavarësisë dhe integritetit të institucioneve të drejtësisë, si dhe për intensifikimin e luftës kundër korrupsionit përmes funksionimit të pavarur dhe të pandikuar politikisht të strukturave të tjera të drejtësisë.

Presidenti i Republikës rikonfirmoi, gjithashtu, se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një objektiv kombëtar, i mbështetur gjerësisht nga shoqëria shqiptare, duke nënvizuar se përfshirja e të gjithë shoqërisë në këtë proces është një nga faktorët që e shtyn Shqipërinë të ecë më shpejt drejt finalizimit të procesit të anëtarësimit.

“Shqipëria është e angazhuar për përmbushjen e objektivit të saj strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2030. Përfshirja e të gjithë shoqërisë shqiptare në realizimin e kësaj ambicieje dhe entuziazmi i saj për këtë proces janë një tipar që na diferencon dhe na nxit të punojmë edhe më fort për ta arritur këtë objektiv”, u shpreh Presidenti Begaj.

Gjatë takimit u evidentua, gjithashtu, harmonizimi i plotë i Shqipërisë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, si një dëshmi e qartë e orientimit strategjik të vendit dhe e përkushtimit të tij ndaj vlerave dhe politikave të përbashkëta evropiane.

Në përfundim, Presidenti Begaj shprehu besimin se ambasadorja Sofia Moreira de Sousa do të japë një kontribut të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve Shqipëri–BE dhe në rrugëtimin evropian të vendit.

Duke iu referuar Ambasadores, Presidenti u shpreh se beson se, deri në përfundim të mandatit të saj, Shqipëria do të jetë anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër