Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se protesta e paralajmëruar e opozitës më 12 mars para Parlamentit synon largimin e Kryeministrit.
Në një deklaratë për mediet nga selia blu, Berisha theksoi se “kryengritja paqësore është shpresa e fundit e shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
“Kryengritja paqësore e qytetarëve shqiptarë ka synim madhor shpëtimin e shqiptarëve nga ky regjim dhe rikthimin e votës së lirë tek ata. Objektivi i saj është largimi i Edi Ramës me urgjencë nga pushtetit”, tha ai.
Sipas Berishës, Kryeministri Edi Rama “është i aftë të bëjë gjithçka në shkelmim të interesit kombëtar të shqiptarëve”.
Berisha tha se Kryeministri ka zero legjitimitet në pushtet ndaj dhe duhet të largohet.
“Kam bindjen se qytetarët janë më të vendosur se kurrë në qëndrimet dhe vendimet e tyre. Data 12 është dita e tyre”, tha Berisha.
Berisha gjithashtu komentoi edhe dekretimin e ministrave të rinj nga presidenti Bajram Begaj, ku theksoi se ishte “ceremonia më qesharake, më komike, më banale e 35 viteve të fundit”.
“Të gjithë të emëruarit pa përjashtim janë të lidhur me 1 mijë fije me korrupsionin më të lartë qeveritar, kanë firmat e tyre korruptive në fushën e infrastrukturës, në fushën e energjisë dhe në fusha të tjera”, tha Berisha, i cili shtoi se presidenti Begaj “me firmat që vendosi, me mungesën totale të guximit për t’i hedhur poshtë propozimet, ai u bë pjesë e një krimi permanent, të vazhdueshëm”.
