Tiranë, 24 prill, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri sot të ditur se më 8 maj opozita do të zhvillojë protestën e radhës.
Berisha tha se “shqiptarët do të mblidhen në rrugët dhe sheshet e Tiranës në kryengritjen e tyre më të fuqishme paqësore që ka njohur vendi kundër kreut të organizatës kriminale dhe regjimit të tij”.
Në një deklaratë publike, Berisha tha se mazhoranca ka bllokuar drejtësinë dhe ka marrë në mbrojtje zyrtarë të përfshirë në afera korruptive.
“Shpresa e vetme në këtë situatë dramatike është reagimi dhe përgjigja e fuqishme qytetare. Vendi po shkatërrohet çdo ditë e më shumë. Shqiptarët po largohen çdo ditë e më shumë. Gjithçka bëhet e pashpresë në qoftë se ne nuk ngrihemi fuqishëm me zërin tonë”, tha Berisha.
Berisha bëri thirrje që më 8 maj të jetë dita e shqiptarëve, duke lënë mënjanë çdo mosmarrëveshje dhe pakënaqësi, për t’u bashkuar në një protestë masive kundër qeverisë.
Kreu i PD-së nënvizoi se kjo kryengritje paqësore synon të bashkojë të gjithë shqiptarët, pavarësisht moshës apo bindjeve politike.
“Të lëmë mënjanë çdo mosmarrëveshje dhe të bashkohemi në këtë kryengritje të fuqishme si shpresa e vetme e shqiptarëve”, bëri thirrje ai.
“Kryengritja e cila synon të bashkojë të gjithë shqiptarët pavarësisht nga moshat, pavarësisht se mund të jenë të bindjeve të ndryshme politike, por që gjykojnë se vjedhjet e tmerrshme të qeveritarëve po shkatërrojnë financat e tyre, po shkatërrojnë vendin e tyre. 8 maji duhet të jetë dita e shqiptarëve. E protestës së tyre më të fuqishme. Unë kam besim se do japim me 8 maj mesazhin më të fuqishëm ndaj këtij regjimi”, tha Berisha.
