Elena Pelushi përzgjidhet zëvendesinspektore e Lartë e Drejtësisë

Nga D. V.
463 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 24 prill, Zhurnal.mk – Inspektori i Lartë i Drejtësisë zhvilloi procedurën për përzgjedhjen e zëvendësinspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Pas shqyrtimit të kandidaturës së paraqitur dhe zhvillimit të votimit të fshehtë nga Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve, kjo e fundit vendosi t’i propozojë Inspektorit të Lartë të Lartë të Drejtësisë, kandidaturën e Elena Pelushi për emërim si zëvendësinspektor i Lartë i Drejtësisë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, duke marrë në konsideratë mendimin këshillues të Mbledhjes së Përgjithshme të Inspektorëve, vendosi emërimin e Pelushit në këtë detyrë.

Zëvendësinspektori i Lartë i Drejtësisë, Elena Pelushi, ka përfunduar në vitin 2002 Shkollën e Magjistraturës, profili prokuror. Në vijim, ajo ka ushtruar funksionin e prokurorit deri në shkurt të vitit 2021, kur është komanduar pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për të ushtruar detyrën e inspektorit magjistrat.

Gjatë ushtrimit të funksionit si prokuror, Pelushi është angazhuar në një sërë trajnimesh profesionale të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës, Prokuroria e Përgjithshme, si dhe institucione e organizma të ndryshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Ajo zotëron gjuhën frënge, italiane dhe angleze.

Zëvendësinspektori i Lartë i Drejtësisë ushtron të gjitha kompetencat e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në mungesë të këtij të fundit, ose kur vendi i tij është përkohësisht i lirë, me përjashtim të kompetencave organike, që lidhen me nxjerrjen e urdhrave për mbarëvajtjen e punës, verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve dhe inspektimin, si dhe garantimin e zbatimit të rregullave etike dhe profesionale nga inspektorët dhe personeli administrativ. Zëvendësinspektori i Lartë i Drejtësisë qëndron në detyrë për një periudhë dyvjeçare, me të drejtë riemërimi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër