Tiranë, 30 prill, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në forumin e IDU-së në Zagreb, theksoi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të jetë tërësisht i bazuar në meritë, ndërsa identifikoi disa pengesa kryesore që, sipas tij, po e largojnë vendin nga ky objektiv.
Berisha nënvizoi se mbështetja e shqiptarëve për integrimin në BE dhe NATO mbetet në nivelet më të larta. Megjithatë, ai argumentoi se procesi i integrimit është bërë i pasigurt dhe po zvarritet për shkak të faktorëve të brendshëm.
Sipas Berishës, integrimi në BE nënkupton më shumë të drejta për qytetarët, më shumë liri, forcim të shtetit ligjor, si dhe rritje të prosperitetit dhe sigurisë.
“Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është bërë i pasigurt dhe po largohet gjithnjë e më shumë për shkak të arsyeve të brendshme. Sipas mendimit tim dhe të partisë sime, pasi flas në emër të opozitës, procesi i integrimit nënkupton më shumë të drejta të njeriut, më shumë liri për t’u garantuar qytetarëve tanë, funksionim të shtetit ligjor, më shumë prosperitet dhe siguri.
Por procesi duhet, dhe patjetër duhet të jetë, plotësisht i bazuar në meritë. Vetëm një proces i bazuar në meritë, siç ishte në këtë vend të madh që është model suksesi, mund të jetë i dobishëm për qytetarët e Shqipërisë. Mendoj se për momentin, pengesat kryesore të integrimit të Shqipërisë në BE janë autokracia zgjedhore”, tha Berisha.
Berisha gjithashtu theksoi se “Shqipëria është i vetmi narkoshtet në Evropë”. Më tej kreu i PD-së tha se pengesë për integrimin është se ka “iniciativa shumë të çuditshme, si ajo Beograd–Tiranë, e cila shkon në drejtim të kundërt me integrimin në BE”.
“Mendoj se procesi duhet të jetë i bazuar në meritë, por pengesat janë si të brendshme, ashtu edhe rajonale”, theksoi ai.
