Tiranë, 30 prill, Zhurnal.mk – Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro zhvilloi sot një takim me drejtues të institucioneve arsimore, me të cilët diskutoi lidhur me përgatitjen dhe masat për mbarëvajtjen e Maturës Shtetërore.
Në takim morën pjesë drejtues të Drejtorive Rajonale dhe Vendore të Arsimit Parauniversitar në të gjithë Shqipërinë ku u analizuan hapat konkretë për garantimin e një procesi të rregullt, transparent dhe cilësor për maturantët në të gjithë vendin.
“Planet e konsultimeve, testet model dhe testet provë janë në shërbim të maturantëve për orientimin e tyre dhe për të arritur rezultate sa më të larta në provime. Nga ana tjetër, zbatimi pikë për pikë dhe me rreptësi i rregullores së Maturës Shtetërore është kryefjala që shënjon këtë proces dhe përgjegjësia e çdo drejtuesi të arsimit, administratori apo përfaqësuesi të zyrave arsimore për të udhëhequr mbarëvajtjen e këtij procesi, ku është i panegociueshëm rregulli që garanton barazinë dhe meritën e çdo maturanti: Kush shkel rregulloren, përjashtohet nga provimi”, theksoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u ndal edhe tek nismat e reja në sistemin arsimor, përfshirë tekstet e reja që do të aplikohen nga viti i ardhshëm mësimor, zgjerimin e programit pas shkolle, si dhe vijimin e trajnimeve të mësuesve nga universitetet, të cilat po zhvillohen rregullisht çdo fundjavë në funksion të rritjes së cilësisë në mësimdhënie.
Aktualisht, gjimnazet po zhvillojnë simulimin e provimit të Maturës Shtetërore.
Për të gjithë maturantët që ndjekin arsimin e mesëm të përgjithshëm më 2 qershor do të mbahet provimi i gjuhës së huaj, më 9 qershor provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, më 16 qershor provimi i matematikës dhe në 23 qershor provimi me zgjedhje.
