Tiranë, 2 prill – Zhurnal.mk – Në nderim të 4 martirëve që u vranë më 2 prill të vitit 1991 në Shkodër, Partia Demokratike zhvilloi sot ceremoninë e vendosjes së kurorave.
Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Bersha tha se përulet me nderimin më të madh, me mirënjohjen më të pakufishme para veprës së Arben Brocit, themelues i PD dhe anëtar kryesie i kësaj partie, themelues i pluralizmit politik në Shqipëri, student shembullor, trim dhe guximtar.
“Përulemi me nderimin më të madh para veprës së pavdekshme të Bujar Bishanakut, Nazmir Kryeziut, Besnik Cekës, qytetarë shembullorë, bij shembullorë të këtij qyteti, trima, guximtarë të cilët sakrifikuan jetën për vlerat më të arrira që ne besojmë”, tha Berisha.
Berisha theksoi se sakrifica e tyre shërbeu si ndriçim për rrugën drejt pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri.
Duke bërë një lidhje me situatën aktuale politike, ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së votës së lirë.
“Martirizimi i tyre në këtë shesh 35 vite më parë u shndërrua në dritë, hapi rrugën që shqiptarët të votojnë të lirë. Bëri të mundur që shqiptarët me votën e tyre të përmbysin regjimin më mizor që Evropa kishte njohur pas luftës së dytë botërore. Masakra e 2 Prillit pati një jehonë të jashtëzakonshme ndërkombëtare”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike.
Sipas tij, vepra e martirëve të 2 prillit është sot më frymëzuese se asnjëherë më parë, është kushtrim i vërtetë për të gjithë shqiptarët që të sakrifikojnë për votën e lirë.
Kreu i PD-së tha se qeveria po bëhet pengesë për integrimin evropian të Shqipërisë.
“Edi Rama i bllokon Shqipërisë dyert e Evropë. Tani kërkon, për të mbajtur pushtetin dhe karrigen, të mos bëhemi anëtarë të BE, por të kemi tregti dhe lëvizje të lirë”, tha ai.
Berisha theksoi rëndësinë e kujtimit të martirëve dhe misionin e Partisë Demokratike për rikthimin e votës së lirë.
“Kurrë më shumë se sot është më aktuale, më frymëzuese, sakrifica e martirëve të 2 Prillit, martirëve të votës së lirë. Ndaj dhe ne jemi të betuar, PD është e betuar se misioni i saj kryesor është rikthimi i votës së lirë tek shqiptarët”, tha ai.
Duke bërë krahasime me aspiratat evropiane të studentëve dhe qytetarëve të Shkodrës, Berisha tha se “ nga zemra e tyre ushtoi atë ditë më fuqishëm se kurrë: Shqipëria si Evropa”.
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen për ndryshimin e qeverisë.
“Sot çdo shqiptar ka një motiv shumë të fuqishëm të ngrihet për përmbysjen e saj. PD është e vendosur të vazhdojë këtë betejë gjer në përmbushjen e misionit të saj”, tha ai.
