Tiranë, 28 prill, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot në lidhje me pamjet e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në sallën e gjyqit.
Berisha tha se PD dënon atë që ai e cilësoi si “trajtim çnjerëzor ndaj Ilir Metës”. Berisha theksoi se paraqitja e Metës në sallën e gjyqit në një kafaz xhami, është një akt i pajustifikuar dhe i papërshtatshëm për një figurë politike të nivelit të tij. Sipas tij, ndaj Metës nuk ka asnjë provë të faktuara për veprat për të cilat akuzohet.
“Ish-presidenti i Republikës, ish-kryetari i Parlamentit dhe ish-kryeministri i vendit, Ilir Meta, aktualisht kryetari i partisë së dytë më të madhe opozitare, Partisë së Lirisë, i burgosur politik, u paraqit dje në sallën e gjyqit i ndryrë në kafaz xhami, sikur të ishte një terrorist i rrezikshëm, ndonëse ndaj tij nuk ekziston asnjë provë e faktuar për një vepër penale të çdo natyre qoftë ajo”, tha Berisha.
Sipas Berishës gjatë periudhës së paraburgimit, Meta është përballur me presion psikologjik dhe shkelje të të drejtave kushtetuese.
“Gjatë këtyre 17 muajve në burg, si person nën hetim dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ndaj Ilir Metës, është ushtruar dhunë dhe terror psikologjik periodik, madje edhe fizik. Janë organizuar provokacione ndër më të ulëtat dhe më të rrezikshme. I janë dhunuar të drejtat kushtetuese më elementare”, tha Berisha.
Berisha tha se Partia Demokratike kërkon lirimin e menjëhershëm të Ilir Metës dhe i bën thirrje Këshillit të Europës, konkretisht Komitetit për Parandalimin e Torturës, që të ndërhyjë për të hetuar rastin.
