Tiranë, 13 nëntor, Zhurnal.mk – Partia Demokratike mblodhi sot grupin parlamentar. Në fjalën e tij kreu i PD-së, Sali Berisha, tha se deputetët demokratë do të njihen me punën e kryer nga kryetari i grupit të punës për Reformën Zgjedhore dhe anëtarët e tij, me qëllim shqyrtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit dhe ato paraardhëse.
Berisha theksoi se, sipas raporteve të Komisionit Evropian, autoritetet shqiptare nuk kanë adresuar pothuajse asnjë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
“Komisioni Evropian konstaton në raportet e tij se këto rekomandime nuk janë adresuar pothuajse asnjë nga autoritetet shqiptare. Komisioni bipartizan i ngritur për reformën zgjedhore mbi bazën e vendimeve është një komision ku secila palë ka veton, pra asnjë hap nuk mund të bëhet pa ujdinë e palës tjetër”, tha ai.
Berisha tha se PD është e vendosur që përmes Reformës Zgjedhore të adresojë të gjitha problematikat që, sipas tij, dëshmojnë manipulimin e zgjedhjeve dhe zhvillimin e tyre në kushtet e një narkoshteti.
“Reforma zgjedhore është një reformë në të cilën PD, siç thashë, është e vendosur të adresojë të gjitha shqetësimet serioze me të cilat faktohet se zgjedhjet në Shqipëri ishin farsë elektorale. Se ato u zhvilluan në kushtet e narkoshtetit”, tha ai.
Ai theksoi se opozita duhet të bashkohet për reformën zgjedhore, duke theksuar se prioritet nuk do të jetë interesi i PD-së, por krijimi i një fronti të përbashkët opozitar. Në fjalën e tij, kreu i PD u ndal më tej te problematika e ndërthurjes së shtetit me partinë në pushtet.
Sipas Berishës, ndarja e qartë e partisë nga shteti është kushti themelor për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ai bëri të ditur se grupi i punës së PD-së, nën drejtimin e Oerd Bylykbashit, ka përgatitur një dokument për reformën zgjedhore, i cili do të plotësohet me amendamente dhe propozime për masa e sanksione konkrete.
“Në qoftë se nuk arrihet ndarja e partisë nga shteti, zgjedhjet do të jenë farsë, farsë dhe vetëm farsë. Po qe se partia shtet përdor të gjithë potencialet e saj për të vrarë votën në të gjitha mënyrat, zgjedhje nuk ka, por ka farsë elektorale. Dhe unë u them të gjithë atyre qytetarëve që ëndërrojnë dhe aspirojnë të votojnë të lirë, se në kushtet e partisë shtet, kjo është absolutisht iluzion dhe asnjëherë nuk mund të bëhet reale. Dhe se në zgjedhje, në kushtet e partisë shtet, fiton në mënyrë të padiskutueshme partia shtet”, tha ai.
Kreu i PD-së theksoi se largimi i kryeministrit Edi Rama mbetet kushti kryesor për ndryshimin e situatës politike në vend. Ai tha se opozita duhet të bashkohet rreth reformës zgjedhore dhe të mos lejojë që mungesa e një fronti të përbashkët t’i shërbejë mazhorancës.
Berisha hodhi poshtë mundësinë që PD-ja të marrë e vetme përsipër një bojkot të zgjedhjeve.
“Me të drejtë do dëgjoni njerëz që thonë po ky tani, edhe thotë me të nuk ka zgjedhje, edhe thotë do shkojmë në zgjedhje. E them ka farsë. Ua them këtyre të nderuarve që shtrojnë këtë pyetje, ka dy mënyra, ose të bashkohemi me vendimin që pa ndarjen e partisë nga shteti dhe reformën zgjedhore, asnjë pjesëmarrje në zgjedhje nuk do të ketë. PD është e para e gatshme. U them shqiptarëve në qoftë se PD merr përsipër një gjë të tillë, PD i bën një dhuratë edhe më të madhe narkodiktatorit dhe shtetit të krimit”, tha ai.
Berisha u bëri thirrje të gjitha partive që e konsiderojnë veten pjesë të opozitës të kontribuojnë në procesin e reformës dhe shtoi se PD-ja është e gatshme të marrë parasysh propozimet dhe shqetësimet e tyre.
“Garantoj të gjithë partitë opozitare që ndjehen opozitarë se ne jemi të hapur dhe të gatshëm të marrim parasysh të gjitha ndjeshmëritë e tyre. Ne do vëmë jo interesin e PD të parin, por interesin e bashkimit të opozitës të parin. Ne do të vendosim interesin e bashkimit të opozitës për një kuadër ligjor sa më të pranuar nga mbarë opozita”, tha ai.

