Berisha: Shqipëria ka nevojë për minimumin jetik dhe heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë

Nga D V
474 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 25 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se qeveria është shkëputur nga problematikat me të cilat përballen qytetarët shqiptarë.

Gjatë një konference për shtyp nga selia blu, Berisha u ndal te mbledhja e kabinetit qeveritar në Pogradec si dhe takimet me kryetarët e bashkive në Kuç, të cilat i cilësoi si “ahengje qeveritare”.

Berisha përmendi një sërë shqetësimesh sociale dhe ekonomike, duke përfshirë çmimet e ushqimeve, kostot e larta të qirave, vështirësitë e studentëve për strehimin dhe problemet në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit.

“Në një kohë kur prej mbi 3 muajsh protestohet në rrugët e Tiranës kundër një qeverie që nuk ka legjitimitet, protestohet kundër një qeveri armike në qëndrimet e saj ndaj qytetarëve, Edi Rama ka zgjedhur ahengjet qeveritare”, theksoi kreu i PD-së.

Berisha vuri në dukje se nga mbledhja e Pogradecit, nuk u dëgjua asgjë nga nxënësit, mësuesit për vitin e ri shkollor, as nga të sëmurët për shëndetin e tyre.

“Çfarë dëgjuan mbi 30% e shqiptarëve, që janë në rrezik për kafshatën e gojës, janë të kërcënuar nga uria sipas të dhënave të fundit të FAO-s? Çfarë dëgjuan qytetarët shqiptarë, që në Tiranë duhet të paguajnë qira më shumë se 2/3-tat e rrogës së tyre? Çfarë dëgjuan studentët, të cilët nisin vitin e ri shkollor në universitet në pamundësi për të paguar qiratë e larta, apo të rinjtë për të blerë një strehë familjare”, tha Berisha.

Sipas tij, Shqipëria ka nevojë urgjente për vendosjen e minimumit jetik dhe heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë.

Ai kërkoi gjithashtu subvencionimin e qirave për familjet në nevojë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Shqipëria ka nevojë urgjente për vendosjen e minimumit jetik. Të dhënat e fundit mbi kërcënimin e urisë janë kambanat më alarmuese, të cilët kërkojnë para së gjithash vendosjen e minimumit jetik dhe heqjen e TVSH-së për të gjitha ushqimet bazë. Kërkojnë subvencionimin e qirave strategjike nga narko-eurot dhe narko-dollarët. Kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës, i cili ka humbur çdo legjitimitet. Nuk është legjitim për shkak të farsës elektorale. Nuk është legjitim për shkak të mbrojtjes së korrupsionit dhe vjedhjeve që ka bërë”, tha Berisha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër