Banja Lluka, 31 tetor Zhurnal.mk – Shtetasi i Bosnje e Hercegovinës, Sasha Micev, i dënuar në Shtetet e Bashkuara për tentim ndërmjetësimi në blerjen e raketave nga Koreja e Veriut, për vite me radhë ndërtoi një rrjet kompanish në Bosnje, ka zbuluar një hulumtim i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL).
Micev u dënua me pesë vjet burgim, ndërsa prokurorët amerikanë e përshkruan atë si tregtar ndërkombëtar të armëve.
Gjatë dekadës së fundit, ai regjistroi të paktën tri kompani në Bosnje e Hercegovinë, dy prej të cilave në Banjallukë.
Njëra prej tyre mori pëlqimin e Qeverisë së entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska, për prodhimin dhe riparimin e armatimit dhe pajisjeve ushtarake. Megjithatë, nuk dihet nëse ajo siguroi edhe lejet e nevojshme nga institucionet shtetërore.
Partneri i biznesit i Micevit në Bosnje e Hercegovinë ishte shtetasi amerikan Douglas Enrique Rios, me origjinë nga El Salvadori, i cili është i lidhur me disa kompani amerikane në sektorin e municionit dhe industrisë së mbrojtjes.
Dokumentet gjyqësore amerikane, në të cilat REL-i kishte qasje, tregojnë se Rios ishte i përfshirë edhe në disa procese gjyqësore që lidhen me industrinë e armëve të zjarrit. Deri në publikimin e këtij teksti, REL-i nuk mori marrë përgjigje në pyetjet e dërguara në adresat elektronike të kompanive të regjistruara në Bosnje e Hercegovinë nga Micev dhe Rios.
As Ministria e Tregtisë e Republikës Sërpska dhe as Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike e Bosnje e Hercegovinës, institucionet përgjegjëse për lëshimin e lejeve dhe pëlqimeve për tregtinë me armatim, nuk iu përgjigjën pyetjeve lidhur me aktivitetet e tyre afariste në këtë vend.
Micev u arrestua në janar të vitit 2023 në Aeroportin John F. Kennedy në Nju Jork dhe qëndroi në paraburgim në SHBA deri në shpalljen e aktgjykimit, në shtator të vitit 2026.
Pasi e pranoi fajësinë, ai u dënua për shkeljen e ligjeve amerikane dhe sanksioneve ndërkombëtare kundër Koresë së Veriut, duke tentuar të ndërmjetësonte shitjen e sistemeve kundërajrore raketore, SA-18 Igla, nga ky shtet.
Sipas një dokumenti gjyqësor, në të cilin REL-i kishte qasje, Micev pranoi të dëbohej nga SHBA-ja pas vuajtjes së dënimit. REL-i nuk arriti të përcaktonte se ku jetonte Micev para arrestimit dhe nëse posedon ndonjë shtetësi tjetër, përveç asaj të Bosnje e Hercegovinës.
Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës nuk iu përgjigj pyetjeve nëse ishte në dijeni të rastit dhe nëse ishte kontaktuar nga autoritetet amerikane.
Koreja e Veriut është nën sanksionet e Kombeve të Bashkuara për shkak të programit të saj bërthamor. Këto sanksione përfshijnë edhe embargon për eksportin e armëve, të cilën janë të detyruara ta respektojnë të gjitha shtetet anëtare të OKB-së.
Çfarë bënte Micev në Bosnje e Hercegovinë?
Sipas të dhënave publike, Micev i nisi aktivitetet e biznesit në Bosnje e Hercegovinë para 12 vjetësh.
REL-i identifikoi të paktën tri kompani të lidhura me të.
Në vitin 2014, ai regjistroi në Banjallukë kompaninë BSTG, e autorizuar për të ushtruar dhjetëra veprimtari, nga kultivimi i frutave të imëta dhe shitja e automjeteve, deri te shërbimet për kujdesin e lëkurës dhe fytyrës. Tre vjet më vonë u themelua një tjetër kompani, Balkan Security Tech Group, e cila ishte e regjistruar për kryesisht të njëjtat veprimtari.
Kjo kompani përdor shkurtesën BSTG, ndërsa si pronar figuron një person me të njëjtin mbiemër, por me emër tjetër: Sllobodan Micev.
“Jemi një kompani e re, ekipi i së cilës ka përvojë shumëvjeçare në industrinë e sigurisë. Kompania jonë është e specializuar në ofrimin e produkteve dhe zgjidhjeve të sigurisë në disa nivele. Ekipi ynë mund t’ju ofrojë konsulencë, zhvillim, trajnim dhe mbështetje teknike për sistemet e sigurisë”, thuhet në ueb-faqen e kompanisë.
Balkan Security Tech Group në mesin e partnerëve të saj rendit kompani nga shtete të ndryshme, të specializuara në sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sigurinë kibernetike, forenzikën digjitale, mbikëqyrjen e komunikimeve dhe sistemet për kontrollin e trafikut.
