Dhuna në familje nuk ndalet, 15 raste të reja të raportuara në vend

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 nëntor Zhurnal.mk – Dhuna në familje vazhdon të mbetet një problem shqetësues, ndërsa vetëm gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar 15 denoncime për sulme fizike, kërcënime dhe sjellje agresive brenda familjes. Në disa prej rasteve, policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar personat e dyshuar. Viktima dhe të dyshuar ka në disa qytete të vendit, ndërsa rastet përfshijnë dhunë ndaj bashkëshorteve, partnereve, prindërve, por edhe fëmijëve.

Në Ohër janë arrestuar dy burra, 31 dhe 34 vjeç, të dyshuar se kanë sulmuar fizikisht të dashurat e tyre. Në Gostivar, në pranga ka përfunduar një 32-vjeçar, i dyshuar për sulm ndaj ish-të dashurës së tij 25-vjeçare, shtetase turke me qëndrim të përkohshëm në qytet. Ndërsa në Probishtip është arrestuar një 54-vjeçar, pas denoncimit se kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij 61-vjeçare.

Në Strumicë, policia ka arrestuar tre burra të moshës 42, 59 dhe 62 vjeç, të dyshuar për sulme fizike dhe kërcënime ndaj familjarëve të tyre. Ndërkaq, në Veles është arrestuar një 33-vjeçare, pasi ish-bashkëshorti i saj jashtëmartesor e kishte denoncuar për sulm fizik. Më vonë, edhe ajo ka denoncuar se ishte sulmuar nga ai.

Në Kumanovë është arrestuar një 19-vjeçar, i dyshuar se kishte sulmuar babanë e tij, ndërsa në Shkup janë raportuar disa raste të tjera, përfshirë sulm ndaj një 16-vjeçari nga babai i tij, kërcënime ndaj një çifti bashkëshortor nga djali i tyre 18-vjeçar, si dhe sulm ndaj një 52-vjeçari nga bashkëshortja e tij 36-vjeçare.

Nga MPB-ja bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të 15 rasteve të fundit, ndërsa qytetarët ftohen të mos heshtin përballë dhunës në familje dhe ta denoncojnë atë në kohë, në stacionin më të afërt policor ose në numrat 112 dhe 192.

Sipas të dhënavë të MPB-së, denoncimet për dhunë në familje janë rritur për 70% krahasuar me vitin paraprak. Nga 1897 denoncime për dhunë, tek 95% prej tyre janë konstatuar lëndime trupore e ku kryesisht viktimat kanë qenë gra e dhunuesit burra. Për të parandaluar dhunën, në Kuvend janë dorëzuar ndryshime në ligjin për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna mbi gratë dhe dhuna në familje me çka janë paraparë vendosje e byzylykëve elektronikë për dhunuesit si dhe mundësinë që policia të largojë për 48 orë nga shtëpia dhunuesin, qoftë ai edhe pronar shtëpie.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër