Kryetari i grupit parlamentar, Tedi Blushi depozitoi sot në Kuvend, projektligjin për uljen e çmimit të karburanteve. Sipas Blushit, projektligji i depozituar sot për uljen e çmimit të karburanteve, është një projektligj për mbrojtjen e buxhetit të familjeve shqiptare.
Duke iu referuar konfliktit të nisur në Lindjen e Mesme, Blushi tha se sipas parashikimeve të ekspertëve do të ketë rritje të mëtejshme të çmimit të karburanteve.
“Në kushtet kur kërkohet që kjo situatë të adresohet sa më parë me zgjidhje konkrete për qytetarët, ne po paraqesim një nismë ligjore, objektivi i të cilës është zbutja e efekteve të rënda ekonomike mbi buxhetet familjare dhe bizneset si pasojë e rritjes drastike të çmimit të karburanteve dhe lëndëve djegëse”, theksoi Blushi.
Sipas Blushit, Shqipëria ka çmimin më të lartë të karburanteve, teksa shtoi se “mbi 60% e çmimit të naftës janë taksa, akciza dhe TVSH”.
Blushi bëri të ditur se PL ka propozuar “pezullimin deri në mars të vitit 2028 të aplikimit të “Taksës së Qarkullimit’ dhe “Taksës së Karbonit’ si një mjet për zbutjen e rritjes së çmimit tepër të lartë të naftës për t’u ardhur në ndihmë buxheteve familjare dhe bizneseve”.
“Një propozim i tillë, nuk krijon problem në planin e të ardhurave të miratuar nga qeveria me ligjin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2026 pasi të ardhurat e realizuara në buxhet nga TVSH-ja janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten ndjeshëm si pasojë e rritjes në tërësi të çmimeve. Kjo nismë do të ndihmojë gjithashtu që konsumi i familjeve shqiptare dhe ecuria e biznesit të ketë qëndrueshmëri”, nënvizoi Partia e Lirisë.
Sipas Blushit, miratimi i këtij projektligji me procedura të përshpejtuara për shkak dhe të situatës kritike, është domosdoshmëri.
“Kjo është rruga e vetme për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset në kapërcimin e këtij momenti shumë të vështirë, ndërkohë që nisma të tilla janë ndërmarrë në vite gjerësisht në vendet e rajonit dhe më gjerë si: Kosova, Greqia, Serbia etj”, nënvizoi Blushi.
