Kryetari i komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj nënvizoi sot rëndësinë e forcimit të mbikëqyrjes parlamentare.
Në mbledhjen e sotme të komisionit, Xhafaj iu referua raportit të paraqitur prej eurodeputetëve nga Komisioni i Jashtëm i PE-së.
“Në disa paragrafë të këtij raporti nënvizohet rëndësia e mbikëqyrjes parlamentare. Raporti inkurajon forcimin e kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin, rritjen e transparencës dhe konsultimin më domethënës me organizatat e shoqërisë civile, partnerët socialë dhe institucionet e pavarura”, u shpreh Xhafaj.
Ndërsa deputeti i PS-së në këtë komision, Ermal Elezi u shpreh se “një mbikëqyrje efektive kërkon jo vetëm shqyrtimin e raporteve, por edhe formulimin e rekomandimeve konkrete dhe ndjekjen në vijim të zbatimit të tyre”.
“Raportimi i institucioneve të pavarura në Kuvend nuk duhet të kufizohet vetëm në një vlerësim të veprimtarisë së vetë institucionit, por duhet të shërbejë edhe si një instrument përmes të cilit Kuvendi ushtron mbikëqyrje të informuar dhe të specializuar mbi sektorë të caktuar të qeverisjes publike, duke marrë në konsideratë gjetjet dhe rekomandimet që këto institucione prodhojnë në ushtrimin e mandatit të tyre”, u shpreh Elezi.
Sipas tij, institucionet e pavarura funksionojnë si një mekanizëm i specializuar përmes të cilit Kuvendi merr informacion të pavarur dhe analiza profesionale mbi problematika konkrete sektoriale.
