Bozdo: Çmimi i karburanteve në nivele rekord, nevojitet ulje e përkohshme e akcizës

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, njëherësh nënkryetar i Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat reagoi sot lidhur me rritjen e çmimit të karburanteve në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediet, Bozdo deklaroi se çmimi i karburanteve ka arritur nivele rekord, të papërballueshme për ekonominë familjare por edhe atë prodhuese, duke u tregtuar me rreth 229 lekë për litër, ose ndryshe rreth 2,5 euro për litër.

Ky nivel, sipas tij, “e vendos Shqipërinë si vendin me çmimin më të lartë të diezelit në rajon, rreth 30% mbi mesataren rajonale”.

Po ashtu, Bozdo theksoi se çmimi është mbi mesataren e Bashkimit Evropian, ndërsa Shqipëria është në grupin e 5 vendeve më të shtrenjta në Evropë për diezel, bashkë me Monakon, Finlandën, Gjermaninë, Holandën dhe Danimarkën.

Ndërsa bëri një krahasim me vendet fqinje, Bozdo u shpreh se arsyeja kryesore e çmimeve kaq të larta të karburantit në Shqipëri është ngarkesa shumë e lartë fiskale.

“Shqiptarët paguajnë taksa afërsisht dyfishin e rajonit, dhe nuk marrin në këmbim atë që meritojnë. Në çmimin final të diezelit në Shqipëri, ngarkesa fiskale përbën rreth 53%, përfshirë akcizën fikse, taksën e qarkullimit, taksën e karbonit, dhe TVSH‑në 20% që aplikohet mbi çmimin total”, shtoi ai.

Po ashtu, Bozdo theksoi se në dallim nga vendet e tjera të rajonit, në Shqipëri ka mungesë totale të masave lehtësuese. “Nga kriza e mëparshme e naftës, qeveria shqiptare arkëtoi rreth 15 milionë euro më shumë në xhepat e saj, në mënyrë të pamerituar. Asnjë qeveri normale nuk i mban këto para, por gjen mekanizmat për t’ia kthyer ato ekonomisë dhe familjeve”, u shpreh Bozdo.

Ndaj, sipas tij, “PD i kërkon me këmbëngulje qeverisë të lehtësojë menjëherë ngarkesën fiskale mbi karburantet”. “Në veçanti, ne i qëndrojmë propozimit tonë të eliminimit të taksës mbi qarkullimi dhe uljes së përkohshme të akcizës, kombinim ky që do ta sillte çmimin e diezelit në Shqipëri në mesataren e rajonit”, shtoi Bozdo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër