Tiranë, 27 prill Zhurnal.mk – Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho prezantoi sot para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, raportin e SPAK për punën e kryer gjatë vitit 2025.
I pyetur në lidhje me ngarkesën e punës së SPAK, Braho tha se numri aktual prej 20 prokurorësh është i mjaftueshëm në raport me sistemin e prokurorive në vend, por sfida kryesore mbetet rritja e cilësisë së hetimeve dhe mbështetja përmes Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Ai bëri me dije se këtë vit do të nisë rekrutimi i 40 hetuesve të tjerë të BKH-së, hap që synon uljen e ngarkesës dhe rritjen e cilësisë së hetimeve. Gjithashtu, Braho theksoi se është përmbyllur konkurrimi për 10 oficerë të policisë gjyqësore.
“Ngarkesa është e lartë, do vijë të rritet më tej. Numri i prokurorëve, 20 është i mjaftueshëm duke pasur sistemin e Prokurorive në gjithë Shqipërinë. Këtë vit do të nisim rekrutimin e 40 hetuesve të tjerë në BKH dhe do të jetë numër i lartë që do të ndikojë në punën e ngarkesës dhe rritjen e cilësisë së hetimeve. Ka përfunduar procesi i konkurrimit për 10 oficerë nga shërbimet e policisë gjyqësore. Kemi planifikuar që të hapim një procedurë tjetër, për një numër tjetër të oficerësh në shërbim të policisë gjyqësore, duke patur parasysh vendet vakante që kemi”, tha ai.
Në lidhje me kuadrin ligjor, sipas Brahos, nuk janë identifikuar nevoja urgjente për ndryshime të menjëhershme, megjithëse mbetet në diskutim rishikimi i pragjeve financiare për veprat e korrupsionit dhe në prokurimet publike.
“Sa i përket ndryshimeve ligjore, nuk shoh diçka që është gabim në këtë moment që duhet të ndryshohet që të ulet ngarkesa e punës, përveç diskutimeve që kemi bërë më parë për disa lloj veprash penale që lidhen me korrupsionin aktiv dhe pasiv. Siç kemi përmendur, fasha prej 50 mijë lekësh duhet parë, por është proces që kërkon kohën e vet. Duhet të jetë më e lartë, sepse është një shumë e vogël dhe kjo e rrit ngarkesën e çështjeve. E njëjta gjë edhe për veprat penale që lidhet me prokurimet, është fashë e vogël në vlerësimin tonë”, tha Braho.
Gjatë fjalës së tij, Braho tha se sfidë mbetet edhe administrimi i kriptovalutave. Sipas tij, po bëhen akte ligjore me synimin që Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara të marrë një rol më të drejtpërdrejtë në menaxhimin e këtyre aseteve.
“Janë 3 vendime për sekuestrimin e kriptovalutave në 2025 me vlerë 12,4 milionë euro. Ka sekuestrime edhe gjatë 2026. Baza ligjore për sekuestrimin e tyre është e njëjtë si për çdo pasuri. Kemi pasur problematik lidhur për administrimin e këtyre pasurive. Në dijeninë time po punohet për të miratuar akte ligjore dhe nënligjore të nevojshme për të mundësuar administrimin e kriptovalutave.
Deri tani kemi bashkëpunuar me autoritete të tjera për marrjen, sekuestrimin dhe menaxhimin e kriptovalutave të sekuestruara, pasi ka qenë e vetmja formë për mbajtjen e tyre. Shpresojmë që Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara të ketë mundësinë që të mund të administrojë portofole kriptovalutash”, tha ai.
Braho vlerësoi se retorika politike nuk përbën kërcënim për punën e prokurorëve, ndërsa shqetësim potencial sipas tij do të ishin vetëm ndryshimet ligjore që mund të prekin kompetencat e SPAK.
“Retorikat politike nuk përbëjnë në vetvete kërcënim, është thjeshtë një retorikë politike. Është shqetësuese nëse kjo retorikë do të shoqërohet me një situatë të ndryshimeve ligjore që mund të cenojnë kompetencat apo pavarësinë e institucionit. Konstatoj se nuk ka një situatë të tillë për momentin dhe është thjeshtë një argumentim për të kuptuar se kur një retorikë është problematike dhe kur nuk është.
Po ashtu konstatojmë faktin se retorika, edhe pse në ndonjë rast nuk është problematike në mënyrë direkt, por zgjon dhe mund të shërbejë si shkak për të rritur agresivitetin ndaj SPAK nga krimi i organizuar. Nëse do të kemi ndonjë situatë të tillë, do të hasemi me drafte apo projekte ligjore, në do ta bëjmë publik. Këtë mendim do t’ja përcjellim edhe KLP-së”, tha Braho.
Sa i përket përfundimit të mandatit të disa prokurorëve të posaçëm, pa mundësi rikandidimi, Braho tha se kjo mund të ndikojë mënyrën e hetimeve, për shkak të diferencave në përvojë mes prokurorëve ekzistues dhe atyre që do t’i zëvendësojnë.
“SPAK ka miratuar një strategji të posaçme për reduktimin e numrit të çështjeve të martuara. Sesi do të ndikojë ndryshimi i prokurorëve, nuk duam që të jemi pesimistë, por realistë. Është shumë e ndryshme mënyra sesi e heton dhe e përfaqëson në gjykim një prokuror që ka eksperiencë të gjatë kohore, që e njeh çështjen, që mund të ketë një hetim 3-vjeçar dhe një proces gjyqësor 2-vjeçar dhe një prokuror që vjen në ditën e parë dhe përballet me një grup kriminal, duke pasur parasysh se nuk e kanë as eksperiencën e mëparshme për të hetuar dhe marrë pjesë në gjykim.
Proceset gjyqësore do të vijojë me të njëjtën shpejtësi. Kurse në hetim do të ndikojë dhe do të ngadalësojë shpejtësinë e hetimeve dhe rezultatet në çështjet konkrete. Diçka që do të jetë e përkohshme”, tha ai.
