INSTAT: 38 345 vepra penale në vitin 2025, rritje 17,4% krahasuar me 2024-ën

Nga D. V.
422 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 27 prill Zhurnal.mk – Instituti i Statistikave (INSTAT) ka publikuar të dhënat për statistikat e krimeve dhe drejtësisë penale për vitin 2025, ku evidentohet një rritje e treguesve kryesorë krahasuar me një vit më parë.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 38 345 vepra penale, me një rritje prej 17,4% krahasuar me vitin 2024. Numri i autorëve të dyshuar ka arritur në 45 334 persona, duke shënuar një rritje prej 13,2%, ku 93,3% e tyre janë meshkuj dhe grupmosha më e përfaqësuar është ajo 30–44 vjeç.

Po ashtu, autorët pa përsëritje janë 39 027, me një rritje prej 16,7% krahasuar me një vit më parë.

Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 19 145 persona të dëmtuar, 7,8% më shumë se në vitin 2024. Nga këta, 39,3% lidhen me krime kundër personit, ndërsa femrat përbëjnë 36,7% të të dëmtuarve në këtë kategori, kryesisht në krime seksuale, kundër moralit dhe dinjitetit, si dhe kundër familjes.

Sipas INSTAT, numri i procedimeve penale të regjistruara ka arritur në 27 049, me një rritje prej 8,5%. Nga 24 491 procedime të përfunduara, 27,6% janë pushuar, 27,8% pezulluar dhe 42,5% janë dërguar për gjykim në gjykatë.

Në vitin 2025 janë regjistruar gjithashtu 14 356 persona të pandehur, 9% më shumë se një vit më parë, ku 94% e tyre janë meshkuj.

Ndërkohë, numri i të burgosurve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale është 4 503 persona, me një rritje të lehtë prej 0,3% krahasuar me vitin 2024.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër