BSH: Inflacioni pritet të zbutet, ekonomia ruan ritmet e rritjes

Nga D V
783 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 gusht, Zhurnal.mk – Ekonomia në vendin tonë po vijon të ruajë një ecuri pozitive, ndërsa rritja e inflacionit gjatë tremujorit të dytë vlerësohet nga Banka e Shqipërisë si një zhvillim kryesisht i përkohshëm.

Në raportin e publikuar sot të Politikës Monetare, Banka e Shqipërisë vlerëson se inflacioni mesatar arriti në 3% në tremujorin e dytë, nga 2,5% në tremujorin e parë. Rritja u ndikua veçanërisht nga shtrenjtimi i karburanteve, i lidhur me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të naftës, si dhe nga rritja e çmimeve të disa shërbimeve në ekonominë vendase.

Megjithatë, forcimi i lekut ka vijuar të amortizojë një pjesë të presioneve të ardhura nga jashtë, duke kufizuar përcjelljen e rritjes së çmimeve ndërkombëtare në tregun shqiptar.

Presionet e brendshme inflacioniste janë lidhur kryesisht me shërbimet e transportit dhe turizmit, ndërsa qiratë vijojnë të japin një kontribut të rëndësishëm. Banka e Shqipërisë vlerëson se, pa përfshirë efektin e qirave, inflacioni i brendshëm mbetet në linjë me objektivin e stabilitetit të çmimeve.

Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore, pasi të kalojë efekti i goditjeve të fundit, inflacioni pritet të ulet gradualisht dhe të qëndrojë pranë objektivit prej 3% në horizontin afatmesëm.

Në të njëjtën kohë, aktiviteti ekonomik ka vijuar të zgjerohet. Ekonomia u rrit me 3,7% në tremujorin e parë të vitit, ndërsa treguesit paraprakë sugjerojnë vijimin e kësaj ecurie edhe gjatë tremujorit të dytë.

Rritja është mbështetur nga konsumi, investimet dhe eksportet e shërbimeve, veçanërisht nga të ardhurat e lidhura me turizmin. Kushtet e favorshme të financimit dhe përmirësimi i tregut të punës kanë kontribuar gjithashtu në mbështetjen e kërkesës së brendshme.

Në tregun e punës, papunësia mbeti në 8,4%, ndërsa pagat në sektorin privat jobujqësor u rritën me 11,5%. Banka e Shqipërisë vlerëson se ndikimi i kostove më të larta të punës në çmime është zbutur nga rritja e produktivitetit dhe ngushtimi i marzheve të fitimit të bizneseve.

Megjithatë, perspektiva ekonomike vijon të shoqërohet me pasiguri. Zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, tensionet gjeopolitike dhe luhatjet e çmimeve të mallrave bazë mbeten faktorët kryesorë të rrezikut.

Banka e Shqipërisë vlerëson se një përshkallëzim i tensioneve ndërkombëtare, veçanërisht nëse do të sillte ndërprerje të furnizimit me energji ose rritje të mëtejshme të çmimeve të lëndëve të para, do të ushtronte presion mbi inflacionin dhe do të ndikonte negativisht në aktivitetin ekonomik.

Në skenarin bazë, perspektiva afatmesme mbetet pozitive, me ekonominë që pritet të vijojë të rritet pranë potencialit dhe inflacionin të rikthehet gradualisht pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%, thekson BSH.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër