Bullgaria rithekson kërkesat ndaj qeverisë së Mickoskit për bullgarët dhe kushtin për BE

Nga D. V.
697 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup/Sofia, 1 prill, Zhurnal.mk – Qeveria e Bullgarisë sot i ka përsëritur kërkesat qëndrimet e saja ndaj qeverisë së Maqedonisë së Veriut për çështjen e të drejtave të bashkësisë bullgare dhe plotësimin e kushtit për vazhdimin e rrugës për në BE, përkatësisht kërkesën për ndryshim të kushtetutës për bullgarët në vend.
Ministria e jashtme e Bullgarisë, përmes një komunikate tha se organizatat e bashkésisé bullgare në Maqedoninë e Veriut “kanë shpërndarë një letër zyrtare” në lidhje me një draft të rishikuar të Planit të Veprimit për Mbrojtjen e të Drejtave të Personave të paraqitur nga qeveria në Shkup.

“Kujtojmë se ky Plan Veprimi është një dokument themelor, pjesë e Konsensusit Evropian të vitit 2022, zbatimi i të cilit do të monitorohet gjatë gjithë procesit të negociatave për pranimin e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut në BE. Kur, në mënyrë të pashmangshme, ndryshimet e pritura kushtetuese i njohin zyrtarisht bullgarët si subjekte legjitime të të drejtave civile në vendin fqinj, Plani i Veprimit do të duhet të sigurojë zbatimin praktik dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave të garantuara kushtetuese,” tha ministria bullgare.

Sipas kësaj ministrie, në qëndrimin e tyre, organizatat e bullgarëve “shprehin shqetësim për mungesën e reflektimit të plotë në draftin e Planit të Veprimit të komenteve dhe sugjerimeve të tyre nga dhjetori 2025.”
“Sipas tyre, dokumenti vazhdon të mos adresojë mjaftueshëm problemet e rëndësishme me të cilat përballet komuniteti bullgar në Maqedoninë e Veriut dhe nuk ofron mekanizma efektivë për t’i kapërcyer ato. Ndër këto mangësi janë: presioni sistematik institucional, zbatimi i pabarabartë i ligjeve, kufizimet e ashpra mbi vetëvendosjen dhe lirinë e shoqërimit, mungesa e mbrojtjes kundër diskriminimit dhe krimeve të urrejtjes të sponsorizuara politikisht,” thotë ministria e jashtme bullgare duke u thirrë në letrën e organizatave bullgare.

Kjo ministri sot shprehi përkrahje të plotë këtyre ankesave dhe kërkesave dhe përsëriti thirrjet e saj ndaj qeverisë së Hristijan Mickoskit, duke përkujtuar qëndrimin se pa futjen e bashkësisë bullgare në kushtetutën nuk mund të zhbllokohet rruga e vendit për anëtarësim në BE.

“Ministria e Punëve të Jashtme mbështet kërkesat legjitime të komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut dhe i bën thirrje qeverisë së vendit fqinj që t’u kushtojë vëmendje thirrjeve të qytetarëve të saj dhe të përmbushë të gjitha angazhimet e marra ndaj BE-së dhe Bullgarisë. Ne presim që Maqedonia e Veriut të angazhohet sinqerisht dhe vazhdimisht për krijimin e një mekanizmi të besueshëm, efektiv dhe të qëndrueshëm për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, në mënyrë që të jetë në gjendje të sigurojë mbështetje konsensuale për rrugën e saj evropiane në të ardhmen,” tha në komunikatë ministria bullgare.

Reagimi i sotëm nga Sofia vjen një ditë pasi që Mickoski përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të ketë plotësim të kërkesës së Bullgarisë dhe BE-së për të ndryshuar kushtetutën përderisa Bullgaria nuk do të plotësojë kërkesat e tij për të drejtat e bashkësisë maqedonase në Bullgari, dhe së dyti përderisa Bullgaria dhe vet BE nuk japin garancione zyrtare se Sofia nuk do të ketë kërkesa e kushtëzime shtesë për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin dhe gjuhën maqedonase, të cilën Bullgaria refuzon që ta njohë si të tillë, por e trajton si derivat të gjuhës bullgare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër