Dani Carvajal beson se është ende herët për të marrë një vendim lidhur me vazhdimësinë e tij te Real Madridi.
Nga ana tjetër, klubi madrilen po pret me durim vendimin përfundimtar të një futbollisti që e konsideron një “institucion” të vërtetë.
E ardhmja e Dani Carvajal mbetet e paqartë, edhe pse përkushtimi i tij ndaj Real Madridit nuk vihet në dyshim, mbrojtësi spanjoll mendon se nuk është momenti i duhur për të vendosur nëse do të qëndrojë edhe për të paktën një sezon tjetër me fanellën e bardhë.

Sipas The Athletic, Carvajal aktualisht është i fokusuar plotësisht në lënien pas të problemeve fizike dhe rikthimin në formën e tij më të mirë.
Nëse arrin këtë objektiv, ai do të bëjë gjithçka për të zgjatur qëndrimin në “Santiago Bernabeu”.
Në të kundërt, nuk përjashtohet mundësia që ai të konsiderojë një transferim drejt një klubi me më pak presion dhe kërkesa.

Qëndrimi i klubit
Real Madridi, ndërkohë, po e ndjek situatën me qetësi, drejtuesit e klubit e shohin Carvajal si një figurë kyçe dhe janë të bindur se, si vazhdimi ashtu edhe një largim i mundshëm, do të realizohen me marrëveshje të ndërsjellë dhe pa krijuar asnjë tension.
Shifrat flasin vetë: 438 ndeshje zyrtare, 14 gola dhe 65 asistime me fanellën e Real Madridit përmbledhin më së miri rëndësinë e Carvajal për klubin.
Në rast se vendos të largohet, mbrojtësi i djathtë do të shqyrtonte opsione në Shtetet e Bashkuara, Katar ose Arabinë Saudite, pasi nuk ka ndërmend të luajë për ndonjë skuadër që mund të përballet me Real Madridin në të ardhmen.

