Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se reforma zgjedhore duhet të jetë gati brenda qershorit 2026 në mënyrë që të ketë kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Në një tryezë diskutimi për reformën zgjedhore me drejtues të institucioneve publike dhe ekspertë të fushës, Celibashi theksoi po ashtu rëndësinë e transparencës dhe gjithëpërfshirjes në këtë proces.
“Transparenca dhe gjithëpërfshirja e këtij procesi është e rëndësishme, cilësia e produktit të kësaj reforme është e lidhur drejtpërdrejt me mënyrën se si kjo reformë do të realizohet ndaj ka vend që t’i bëjmë thirrje përfaqësuesve të politikës që janë të angazhuar në këtë proces”, tha Celibashi.
Krahas transparencës dhe gjithëpërfshirjes që duhet të ketë procesi, Celibashi u ndal edhe te afatet brenda së cilës duhet të realizohet kjo reformë.
“Duhet që ndryshimet e këtij ligji të jenë në fuqi jo më vonë se qershori i këtij viti. Në këtë mënyrë partitë politike, KQZ dhe institucionet e tjera të përfshira në proces do të kenë kohën e mjaftueshme për të përgatitur zgjedhjet vendore të 2027 siç përcaktohet në Kodin Zgjedhor”, tha Celibashi.
Celiashi u bëri thirrje forcave politike që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive për krijimin e një reformë të konsultuar gjerësisht, që do të adresojë të gjitha problematikat e dala nga zgjedhjet e zhvilluara në vend.
“Reforma duhet të adresojë të gjitha problematikat e evidentuara gjatë proceseve zgjedhore të mëparshme. Procesi duhet të jetë i hapur, të përfshijë konsultim me institucionet, shoqërinë civile, organet e drejtësisë, median dhe organet kompetente për zgjedhjet”, tha Celibashi.
Konsultimi, sipas tij, “duhet të jetë i gjerë në mënyrë që ndryshimet në legjislacion të mbështeten në një analizë të thellë dhe reale e të evidentuar”.
Celibashi theksoi po ashtu se transparenca është e rëndësishme për rritjen e besimit të publikut.
Duke u ndalur te evidentimi i shkeljeve gjatë periudhës zgjedhore, Celibashi vlerësoi si histori suksesi bashkëpunimin mes SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme në zgjedhjet e kaluara.
Celibashi kërkoi po ashtu që të forcohet integriteti i procesit zgjedhor, ku një nga aspektet e lidhura është edhe mënyra se si trajtohen shkeljet gjatë periudhës zgjedhore.
“Për KQZ eksperienca e bashkëpunimit mes Prokurorisë, Policisë dhe SPAK ishte e suksesshme dhe duhet të përmirësohet në të ardhmen. Reforma duhet të jetë proces transparent e i konsultuar gjerësisht pavarësisht peshës politike dhe institucionale të aktorëve”, tha ai.
