Bogdanci, 4 nëntor Zhurnal.mk – Shtatëmbëdhjetëvjeçarja Biljana Kiriq është vajza që u gjet e vdekur në tragjedinë pranë Bogdancit, së bashku me 21-vjeçarin Viktor Guntarov. Sipas dyshimeve fillestare të Prokurorisë, bëhet fjalë për vrasje dhe vetëvrasje, ndërsa rrethanat dhe shkaqet e sakta të vdekjes pritet të përcaktohen gjatë hetimeve.
Tragjedisë i kishin paraprirë denoncime për dhunë dhe kërcënime. Sipas informacioneve nga institucionet kompetente, ndaj 21-vjeçarit më herët ishte zhvilluar procedurë për shkak të një denoncimi për ushtrim dhune ndaj vajzës.
MPB-ja konfirmoi se më 30 shtator të këtij viti, rreth orës 21:00, Guntarov ishte arrestuar pas një denoncimi se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj të dashurës së tij 17-vjeçare në shtëpinë e tij. Për rastin ishte njoftuar edhe prokurori publik.
Më 16 tetor, Prokuroria Themelore Publike në Gjevgjeli kishte pranuar një denoncim për rrezikimin e sigurisë së të miturës dhe kishte nisur procedurën përkatëse. Ishin caktuar afate për marrjen në pyetje dhe ishin dhënë urdhra për ekspertiza.
Paralelisht, në kuadër të procedurës për mbrojtje nga dhuna, gjykata kishte shqiptuar masa me të cilat 21-vjeçarit i ndalohej t’i afrohej dhe ta shqetësonte vajzën. Sipas informacioneve të publikuara deri më tani, këto masa ishin ende në fuqi në momentin kur ndodhi tragjedia.
Sipas informacioneve jozyrtare të siguruara nga Skopje1, Guntarov dyshohet se e kishte pritur Biljanën para një palestre në Gjevgjeli, pas së cilës me forcë e kishte futur në automjet dhe ishte nisur drejt Bogdancit. Këto rrethana ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Tragjedia u zbulua më 3 nëntor, kur rreth orës 18:40 në polici ishte raportuar për një automjet të djegur në vendin e quajtur „Içeva Çeshma“, në zonën e Gorno Sellos, pranë Bogdancit.
Trupi i 21-vjeçarit ishte gjetur jashtë automjetit, ndërsa brenda veturës së djegur ishte zbuluar edhe një trup tjetër i karbonizuar.
„Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Gjevgjeli kreu këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe lëshoi disa urdhra për sigurimin e provave, me qëllim që të hetohen shkaqet e ngjarjes. Është lëshuar urdhër për autopsinë e trupave të personave të vdekur, ndërsa janë siguruar edhe incizime nga kamerat e mbikëqyrjes. Dyshimet fillestare çojnë drejt vrasjes dhe vetëvrasjes, megjithatë rasti do të hetohet në tërësi“, njoftoi Prokuroria.
Autopsia dhe analizimi i provave të siguruara pritet të zbardhin se çfarë ka ndodhur saktësisht në orët e fundit para vdekjes së Biljanës dhe Viktorit.
