Shkup, 25 shtator Zhurnal.mk – Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka hapur një lëndë në përputhje me kompetencat që i jep Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesave, lidhur me festimin e 35-vjetorit të pavarësisë së shtetit.
Kryetari i Komisionit Antikorrupsion, Adem Çuçul, në një intervistë për “Fokus”, tha se po shqyrtohet nëse personi konkret, Nikollçe Micevski, ka qenë edhe anëtar i komisionit që ka përzgjedhur dhe angazhuar realizues të programit të festimit.
“Detyrimi ynë është të shqyrtojmë se si ka ardhur deri te një situatë e tillë dhe çfarë konflikti interesi është krijuar”, tha Çuçul.
Ai tha se është i vetëdijshëm se i gjithë rasti lidhur me festimin është nën vëmendjen e madhe të opinionit publik. Për këtë çështje ka pasur edhe kërkesa që Komisioni Antikorrupsion të zhvillojë një hetim më të detajuar, veçanërisht sa i përket pagesave për angazhimin e artistëve dhe realizuesve vendas e të huaj, për të cilat, sipas tij, ende nuk ka informacion të plotë.
Çuçul theksoi se institucionet kompetente hetimore po e ndjekin rastin dhe, nëse konstatojnë elemente të paligjshmërisë, duhet të veprojnë në kuadër të kompetencave të tyre.
“Vlerësojmë se ka organe kompetente hetimore që po e ndjekin këtë rast dhe, nëse ka hapësirë për parregullsi të caktuara, besoj se do të hapin hetim në kuadër të kompetencave të tyre”, deklaroi Çuçul.
Ai shtoi se nëse Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit arrin në çfarëdo njohurish të reja lidhur me rastin, ato do të verifikohen.
“Nëse ka indicie se është kryer vepër penale, patjetër do ta njoftojmë Prokurorinë”, theksoi kryetari i Komisionit Antikorrupsion.
Në intervistë, Çuçul foli edhe për punën tjetër të Komisionit Antikorrupsion, si dhe për bashkëpunimin me institucionet e tjera.
Ai u ndal edhe te pyetja nëse gjatë punës së tij Komisioni ndonjëherë përballet me dyer të mbyllura dhe me pengesa institucionale, të cilat mund ta vështirësojnë punën dhe realizimin e kompetencave të tij.
