Shkup, 31 gusht Zhurnal.mk – Ish-kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska, ka njoftuar se është zgjedhur anëtare e G20 United States B20 2026 Economic Growth Task Force, grupit të punës që merret me çështjet e rritjes dhe zhvillimit ekonomik global.
Arsovska, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka shprehur mirënjohje për besimin e dhënë, duke theksuar se është krenare që do të ketë mundësinë të kontribuojë me përvojën e saj në këtë iniciativë ndërkombëtare, raporton 4news.mk.
“Është vërtet nder të bëhem pjesë e grupit të punës për rritjen ekonomike të G20 United States B20 2026, duke kontribuar në një nga platformat më me ndikim në botë për dialogun publiko-privat dhe politikën ekonomike globale”, ka shkruar Arsovska.
Gjatë vitit të ardhshëm, ajo do të punojë së bashku me zyrtarë të lartë politikë, liderë të biznesit dhe ekspertë ndërkombëtarë, në bashkëpunim me Dhomën Amerikane të Tregtisë (U.S. Chamber of Commerce).
Qëllimi i grupit është hartimi i rekomandimeve për politika ekonomike, të cilat do të përfshihen në komunikatën përfundimtare të B20, që përfaqëson zërin e përbashkët të komunitetit global të biznesit drejtuar liderëve të G20.
B20 është grupi zyrtar i angazhimit të sektorit të biznesit në kuadër të G20 dhe lidh liderët e biznesit nga ekonomitë më të mëdha të botës. Sipas Arsovskës, këto vende përfaqësojnë rreth 85 për qind të PBB-së globale dhe 75 për qind të tregtisë ndërkombëtare.
Misioni i B20 është të propozojë politika praktike dhe afatgjata për nxitjen e rritjes ekonomike, inovacionit, investimeve dhe tregtisë ndërkombëtare, si dhe për krijimin e ekonomive më rezistente dhe gjithëpërfshirëse.
Një rëndësi e veçantë është se Shtetet e Bashkuara këtë vit marrin për herë të parë presidencën e B20, nën drejtimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Arsovska ka bërë të ditur se në kuadër të grupit të punës do të fokusohet në politika që mund të kontribuojnë në rritje të qëndrueshme ekonomike, rritje të konkurrueshmërisë, inovacion, investime dhe prosperitet të përbashkët.
