Shkup, 04 qershor, Zhurnal.mk – Nuk është planifikuar emetim i ri i euroobligacionit deri në fund të këtij viti. Gjithçka që ishte planifikuar me Buxhetin e vitit 2026, gjatë miratimit të tij, për sigurimin e mjeteve fillimisht për shlyerjen e borxheve të vjetra, tashmë është realizuar dhe deri në fund të vitit mbetet të sigurohen mjete për financimin e deficitit buxhetor. Kjo u theksua nga ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska gjatë intervistës për TV Sitel.
“Sipas projeksioneve të buxhetit dhe siç është projektuar me miratimin e buxhetit, kështu edhe po zhvillohet financimi. Ne i kemi siguruar tashmë të gjitha mjetet që nevojiteshin për shlyerjen e borxheve të vjetra dhe, krahas kësaj, deri në fund të vitit duhet të sigurojmë edhe mjetet e nevojshme për servisimin e deficitit buxhetor. Në këtë drejtim ende kemi detyrime ose kërkesa bazuar në letrat shtetërore me vlerë ose nga jashtë, diku midis 250 dhe 300 milionë eurove në mënyrë që të realizojmë gjithçka që ishte planifikuar, por sigurisht që një pjesë e saldos do të bartet në vitin 2027”, theksoi ministrja e Financave.
Ajo shtoi se për këtë vit nuk është planifikuar emetimi i ndonjë euroobligacioni të ri dhe rikujtoi se euroobligacioni tashmë ishte emetuar në muajin janar, me të cilin u shlye euroobligacioni i emetuar në vitin 2020 në vlerë prej 700 milionë eurosh, i cili u pagua plotësisht javën e kaluar. Gjithashtu, ajo shtoi se gjatë ditës kanë arritur mjetet nga kredia e siguruar nga bankat e huaja në vlerë prej 260 milionë eurosh, si dhe mjetet e parapara në kuadër të Agjendës reformuese, duke theksuar se gjithçka që ishte planifikuar është realizuar.
“Këtë vit, por edhe në vitet e ardhshme, kemi detyrime të mëdha dhe këtë e komunikojmë vazhdimisht. Kjo do të thotë se fillimisht duhet të sigurojmë para për t’i shlyer borxhet e vjetra. Nuk ka ndodhur kurrë në botë, me përjashtim të Libanit, që të ketë pasur vonesë në servisimin e detyrimeve. Kjo është ndër gjërat më të rënda që mund t’i ndodhë një shteti. Kur përballemi me detyrime të mëdha çdo vit, fokusi dhe detyra kryesore është që së pari të servisohen ato detyrime, ndërsa më pas të bëhen përpjekje të sigurohen sa më shumë mjete për mbulimin e deficitit buxhetor të vitit aktual”, theksoi ministrja.
Ajo theksoi se pesha më e madhe mbi Ministrinë e Financave është se të gjitha borxhet janë të përqendruara në 4 vjet dhe se sigurisht do të ketë nevojë për të emetuar një euroobligacion çdo vit, por theksoi se afatizimi dhe struktura sigurisht që do të përshtaten në mënyrë që të mos përsëriten gabimet e Qeverisë së mëparshme.
Duke iu referuar faktit se borxhi publik ka qenë vazhdimisht në nivel prej rreth 60%, ajo theksoi se rritja e borxhit ose huasë nuk është asgjë e jashtëzakonshëm nëse menaxhohet siç duhet.
“Çdo borxh i ri i orientuar drejt një projekti specifik që do të ketë vlerë të shtuar për ekonominë do ta ulë në thelb përqindjen e borxhit publik dhe në këtë pikë besoj se Qeveria po e menaxhon me sukses atë sepse gjendja që trashëguam ishte alarmante”, tha ministrja, duke shtuar se, ndër të tjera shlyerja e pjesës së parë të tatimit të solidaritetit ndaj kompanive në vlerë prej 1.5 miliardë denarësh ose 25 milionë eurosh është realizuar si detyrim, i cili është gjithashtu detyrim i trashëguar nga Qeveria e mëparshme.
Ajo theksoi se buxheti është funksional, likuid dhe nuk ka asnjë problem në servisimin e detyrimeve.
Gjatë intervistës, ajo u ndal edhe te rritja e PBB-së në tremujorin e parë, sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, ku sipas ministres, këto të dhëna dëshmojnë një cikël të rritjes së vazhdueshme dhe stabile të PBB-së, si rezultat i aktivitetit ekonomik në zhvillim, me ç’rast theksoi se ekziston një klimë e vërtetë pozitive ekonomike, e cila pritet të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.
Ajo theksoi se, krahas investimeve publike, po realizohen edhe investime në sektorin privat, gjë që reflektohet në rritjen dyshifrore të kredive, si dhe në përkrahjen e siguruar nga Qeveria përmes huasë hungareze. Gjithashtu, ajo theksoi se kthimi i TVSH-së ndaj kompanive po kryhet në mënyrë të rregullt dhe në kohë dhe deri në fund të muajit maj 2026, kthimi i TVSH-së ishte 4.7% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
