Shkup, 29 nëntor Zhurnal.mk – Numri i të prekurve nga gripi në Maqedoni është në rritje. Gjatë dy javëve të fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, ndërsa vetëm gjatë javës së 47-të të vitit, nga 16 deri më 22 nëntor, janë regjistruar 188 raste të reja me grip dhe sëmundje të ngjashme me të. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se kjo është një rritje prej 22,1 % krahasuar me javën paraprake. Më së shumti raste janë regjistruar në Shkup, Kumanovë, Dibër dhe Radovish, ndërsa grupmosha më e prekur është ajo nga 15 deri në 64 vjeç.
Mjekët familjarë thonë se në ordinanca po paraqiten gjithnjë e më shumë pacientë me temperaturë të lartë, dhimbje të forta koke dhe dhimbje të muskujve.
“Shumica ankohen për dhimbje të muskujve, dhimbje në të gjithë trupin, dhimbje të forta koke dhe temperaturë të lartë. Sipas analizave, në shumicën e rasteve bëhet fjalë për infeksione virale. Më të rrezikuar janë pacientët me sëmundje kronike, te të cilët gripi mund të shkaktojë përkeqësim të gjendjes shëndetësore. Ndërsa për pacientët e tjerë rekomandohet trajtim simptomatik, konsumim i lëngjeve, vitamina dhe barna për uljen e temperaturës”, tha Ivona Ilijoska, mjeke familjare.
Ajo thekson se gripi mund të shoqërohet edhe me simptoma gastrointestinale, si diarre dhe të vjella, veçanërisht te fëmijët. Sipas mjekes Ilijoska, numri I kontrolleve të pacientëve brenda një dite ka arritur deri në 150.
“Te fëmijët, gripi mund të shfaqet edhe me simptoma gastrointestinale, si diarre dhe të vjella. Kjo ndodh jo rrallë edhe te të rriturit, por më shpesh te fëmijët. Në ordinancë, gjatë dy ndërrimeve, numri i kontrolleve mund të arrijë deri në 150 pacientë në ditë. Jo të gjithë janë të prekur nga infeksionet virale, por numri i përgjithshëm i pacientëve është dukshëm i rritur. Më të prekur janë personat e moshës 20 deri në 45 vjeç, por raste të shumta regjistrohen edhe te të moshuarit”, shtoi Ivona Ilijoska, mjeke familjare.
Që nga fillimi i sezonit 2026/2027, numri i përgjithshëm i rasteve me grip dhe sëmundje të ngjashme me të ka arritur në 797. Kjo është 20,4 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar. Në këtë periudhë, Instituti i Shëndetit Publik apelon për kujdes dhe respektim të masave parandaluese. Larja e shpeshtë e duarve, ajrosja e ambienteve, shmangia e kontaktit me personat e sëmurë dhe qëndrimi në shtëpi gjatë kohës së infektimit janë disa nga rekomandimet për të parandaluar përhapjen e virusit. Ndërkohë, vaksinimi kundër gripit ka filluar më 21 tetor. Deri në përfundim të raportit të fundit, janë vaksinuar 33.594 persona nga kategoritë e rrezikuara të popullsisë.
