Në ditën e gjashtë të protestës së tyre banorët e Rrjollit në Velipojë janë përplasur sërish me policinë.
Ata protestojnë kundër ndërtimit të një resorti turistik, pasi e cilësojnë projektin si një “grabitje” të hapur të pronave të tyre dhe paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen. Protesta, sipas banoreve do të vijojë pa afat.
“Tokën e kemi me dokumenta të rregullta. Në 2006 kemi një vendim Gjykate që e kemi fituar. Sot është dita e gjashtë. Dje kemi bërë një protestë të paparë. Sot po mblidhet populli. Çfarë do të vijnë do të shihet javën tjetër. Kjo do të jetë një protestë që nuk do të mbyllet. I bëjmë thirrje shtetit t’i vërë letrat në dukje. I bëjmë thirrje SPAK…të hënën do të bllokojmë derën e Shkodrës, te Prokuroria. Do të jetë protesta më e madhe ndonjëherë. Nuk mbyllet as sot, as për një muaj. I bëjmë thirrje emigrantëve, t’i dalim zot tokës së të parëve tanë. Bëjmë thirrje që të pezullohet puna. Të jenë dokumentat të tavolinë”, thotë një banor.
Dy ditë më parë banorët protestuan edhe para Prokurorisë së Posaçme në kryeqytet, duke thënë se disponojnë të gjithë dokumentacionin për të provuar se janë pronarë të ligjshëm.
Banorët e Rrjolit edhe një vit më parë kanë depozituar në SPAK një kallëzim nën dyshimet se janë falsifikuar dokumentet me qëllim ndërtimin e resortit.
Kallëzimi i është dërguar për kompetencë hetimore edhe Prokurorisë së Shkodrës, organ i cili sipas banorëve nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.
Pikërisht për këtë arsye, të hënën ata do të mbajne protestën e radhës para Prokurorisë në Shkodër./vizionplus.tv

