Editorial / Kujdes nga virusi i Etheve të Nilit – më të rrezikuar moshat e shtyera!

Nga I.A
1,670 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 gusht – Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 13 raste të infektimeve me ethet e Nilit Perëndimor. Gjendja e pacientëve është e vështirë. Ky virus është sëmundje infektive virale që transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Ky virus ka si rezervuar natyror zogjtë shtegtarë. Mushkonjat infektohen kur ushqehen me gjakun e këtyre zogjve dhe më pas ua kalojnë virusin njerëzve apo kafshëve të tjera. Më të rrezikuar janë moshat e vjetra, prandaj duhet pasur shumë kujdes dhe të trajtohen menjëherë nëse ka simptoma të ndonëj sëmundje, shkruan “Zhurnal.mk”.

13 persona të shtrirë në spitale!
Një rast i ri i dyshuar me ethet e Nilit Perëndimor është raportuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup. Personi 76 vjeç, me inflamacion të konfirmuar të trurit dhe meningjeve me origjinë virale është shtruar në spital gjatë 24 orëve të fundit në Klinikën për Sëmundje Infektive. Me këtë, gjithsej shtatë pacientë janë të listuar si klinikisht të dyshuar, dhe 10 kanë konfirmuar praninë e Etheve të Nilit Perëndimor, tre prej të cilëve janë në gjendje kritike në Njësinë e Kujdesit Intensiv dhe janë në ventilim mekanik. Deri më tani, nuk ka pasur përmirësim të gjendjes së tyre shëndetësore. Të gjithë pacientët janë nga Shkupi.
Periudha e inkubacionit të sëmundjes zgjat deri në 14 ditë. Askush nuk mund të parashikojë paraprakisht se si do të zhvillohet sëmundja në një organizëm individual. Ajo që dihet deri më tani është se të moshuarit janë më të ndjeshëm ndaj një forme më të rëndë. Të gjithë pacientët e shtruar në spital në janë mbi 60 vjeç dhe kanë sëmundje shoqëruese. Të moshuarit, personat me sëmundje kronike, personat me imunitet të dobësuar, janë më të ndjeshëm ndaj një tabloje klinike më të rëndë, shkruan “Zhurnal.mk”.

Më kritik personat e moshuar – të rinjtë e kalojnë më lehtë
Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (ËHO), periudha e inkubacionit zgjat nga 3 deri në 14 ditë.
Rreth 80% e personave të infektuar nuk shfaqin asnjë lloj shenje dhe e kalojnë virusin pa e vënë re. Formë e lehtë të Etheve të Nilit, apo rreth 20% shfaqen simptoma të ngjashme me gripin si temperaturë, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupi e muskujsh, të përziera, të vjella dhe ndonjëherë skuqje të lëkurës në gjoks ose shpinë.
Vetëm te më pak se 1% e njerësve, virusi i prek sistemin nervor qendror duke shkaktuar meningjit ose encefalit. Simptomat përfshijnë temperaturë shumë të lartë, mpirje të qafës, çorientim, dridhje, konvulsione, dobësi muskulore dhe paralizë. Ky rrezik është më i lartë te personat mbi 60 vjeç ose me imunitet të dobësuar.
Për ta shëruar këtë sëmundje, kryesisht merren medikamente kundër dhimbjes dhe temperaturës, ndërsa aktualisht nuk ekziston një vaksinë apo trajtim specifik antiviral për njerëzit, shkruan “Zhurnal.mk”.

Si të mbrohemi nga ky virus?
Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit të mushkonjave përmes hapave të rekomanduar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Qytetarët duhet të përdorin spraj kundër mushkonjave në lëkurë të ekspozuar. Duhet mbajtur veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, mundësisht me ngjyra të çelura.
Nëpër shtëpi duhet të vendosen rrjeta mbrojtëse në dritare dhe dyer. Nëse ka ujë të ndenjur jashtë shtëpisë, duhet zbrazur ose derdhur pasi ato shërbejnë si vatra për riprodhimin e mushkonjave.

Vendet e Ballkanit janë të rrezikuara nga ky virus
Ky virus i njohur thuajse çdo stinë të verës përhapet në rajonin e Ballkanit. Aktualisht në Greqi, ka mbi 21 raste të konfirmuara dhe 4 vdekje të shënuara te personat e moshuar me sëmundje shoqëruese.
Maqedonia e Veriut konsiderohet si vatër aktive, ku deri më tani janë mbi 10 raste të konfirmuara laboratorikisht dhe 7 raste të dyshuara, kryesisht në Shkup dhe Veles.
Në Shqipëri, nuk ka raste autoktone të raportuara deri më tani për këtë vit, por mbetet zonë nën monitorim të rreptë. Ndërkaq, Në Kosovë, Serbi e Rumani nukka ende asnjë rast të regjistruar.
Duke pasur parasysh se sezoni i transmetimit të virusit arrin kulmin gjatë muajve gusht dhe shtator, qytetarët duhet të kenë kujdes, e sidomos më të mshuarit. Temperaturat e larta të verës rrisin aktivitetin dhe numrin e mushkonjave, duke rritur automatikisht edhe mundësinë e infektimit në javët në vijim, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër