Shkup, 11 shkurt – Zhurnal.mk – Nëse kthehesh në retrospektivë, disa gjëra në sistemin e kaluar ishin më mirë të organizuara. Sidomos në sistemin e arsimit ose shëndetësisë. Sot, fatkeqësisht, edhe pse duket se si shoqëri kemi përparuar më shumë, prap se prap shumë shërbime nuk janë në nivelin e duhur. Rast më konkret kemi mungesën e ambulancave që funksiononin nëpër fshatra. Fatkeqësisht, tani mijëra banorë nuk kanë shërbim mjekësor, dhe Ministria e shëndetësisë ende nuk gjen një zgjidhje adekuate, shkruan “Zhurnal.mk”.
Të dhënat nga Fondi për Sigurim Shëndetësor tregojnë se për momentin, nga 96 mjekë familjarë të planifikuar në zonat rurale, 44 funksionojnë dhe 52 mungojnë. Kjo do të thotë se kemi më pak se 50 përqind të mbulimit të ambulancave nëpër fshatra.
Edhe pse qytetarët e gjithë shtetin, duke përfshirë edhe ato të fshatrave, paguajnë sigurim shëndetësor, këta të fundit nuk mund të marrin kujdesin e nevojshëm, sepse shteti nuk arrin të sigurojë mbulim të mjaftueshëm me mjek dhe me ambulanca. Fondi shëndetësor duhet të përmirësojë kujdesin shëndetësor, duke e bërë atë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë personat e siguruar dhe të gjithë qytetarët.
Një shembull konkret është ambulanca mes fshatrave Llojan dhe Vaksincë, e cila ka funksionuar që nga vitet 90-ta dhe sot fatkeqësisht qëndron e mbyllur. Banorët kërkojnë rihapjen, pasi që për të marrë shërbime mjekësore ata duhet të udhëtojnë në Kumanovë ose Likovë. Banorët e këtyre fshatrave theksojnë se nuk kanë as ambulancë publike dhe as private dhe për një shërbim të tillë ata duhet të udhëtojnë në Likovë ose në Kumanovë. Ndërsa në këtë komunë e cila përfshin 11 fshatra, funksionon vetëm “Shtëpia e Shëndetit”.
Situatë e ngjashme është edhe në fshatin Luboten të Shkupit ku ambulanca kishte funksionuar deri në vitin 2005, por në njëzet vitet e fundit nuk ka shërbim mjekësor. Ky fshat një numëron mbi 4 mijë banorë për çdo shërbim mjekësor duhet të udhëtojë drejt Shkupit, duke mos pasur zgjidhje tjetër. Kohëve të fundit, banorët e fshatit kanë ndërtuar edhe objektin në qendër të fshatit që mund të përdoret për ambulancë, por kjo nuk po mund të vendoset në funksion sepse kërkohet leje nga Ministria e shëndetësisë dhe kërkohet mjek i cili do të punojë në këtë ambulantë.
Prania e ambulancës në afërsi ulë ndjeshëm rrezikun në raste infarkti, aksidentesh, komplikimesh te fëmijët dhe të moshuarit, si dhe në raste kafshimi nga qentë endacakë apo gjarpërinj helmues.
Shumë raste të lehta dhe kontrolle rutinë mund të trajtohen në ambulancë, duke ulur ngarkesën mbi spitalet. Kategoritë më të ndjeshme, si fëmijët, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe të moshuarit, përfitojnë më së shumti nga shërbimi shëndetësor i afërt.
Shumë shpejt do të duhet të mendohet për vendet e vogla që nuk përcaktohen si rurale, sepse për shembull në Resnjë ka vetëm tre mjekë familjarë. Struktura demografike dhe moshore e mjekëve familjarë është jashtëzakonisht e keqe dhe brenda 10 deri në 15 vjet do të kemi një krizë serioze në mbulim.
Nëse nuk gjendet zgjidhje e shpejtë, brenda rreth dhjetë vjetësh Maqedonia e Veriut do të vijë në suituatë ku nuk ka mjek të disponueshëm për popullsinë brenda një perimetri pre 30 deri në 40 kilometrave, shkruan “Zhurnal.mk”.
Ëshët e nevojshme që të inkurajohen mjekët e rinj që të fillojnë të punojnë në zonat rurale dhe për këtë arsye duhet të bëhen ndryshime në rregulloren që e rregullon këtë çështje.
Një nga mundësitë për të stimuluar mjekët e rinj të punojnë edhe nëpër fshatra është rritja e subvencioneve në mënyrë të pavarur, sepse problemi kryesor i zonave rurale është numri i vogël i të siguruarve.
Sistemi ynë parashikon që një klinikë ambulatore ekzistuese të mbyllet dhe të fillojë nga e para, gjë që dekurajon transferimet brezore. E thënë më shkurt, nëse një mjek del në pension, ai duhet ta mbyll ambulancën dhe pastaj një mjek tjetër i ri të hapë ambulancë të re dhe të kërkojë që pacientët të transferohen te ambulance e tij. Kjo shpesh është problem dhe nuk ka një vijëmisi të shërbimeve mjekësore.
Qeveria ka vendosur që klinikat rurale që nuk kanë infermiere dhe kanë vetëm një mjek do të jenë në gjendje të vazhdojnë të funksionojnë për dy vitet e ardhshme dhe nuk do të kenë nevojë të mbyllen.
Është e qartë se mungesa e personelit dhe mungesa e atraktivitetit të kujdesit shëndetësor parësor kërkon një ripërcaktim të të gjithë konceptit. Me këtë koncept, shumë shpejt do të mbeteshim pa mjekë familjarë jo vetëm në qytetet rurale, por edhe në ato më të vogla dhe në periferi të qyteteve më të mëdha. Na duhet një perspektivë e re. Nëse më parë sistemi kujdesej për punësimin e të gjithë mjekëve dhe infermierëve të papunë, tani nuk ka asnjë.
Në këtë drejtim, Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor duhet me urgjencë të gjejnë zgjidhje për ambulancat që mungojnë, sidomos në fshatrat e mëdhenj, ku më leht mund të gjenden mjekë dhe mund të stimulohet veprimtaria e tyre, shkruan “Zhurnal.mk”.

