Shkup, 13 nëntor, Zhurnal.mk – Zgjidhja e re për subvencionimin e ushqimit për studentët do të fillojë të zbatohet nga viti i ri akademik, paralajmëroi sot kryeministri Hristijan Mickoski. Ai tha se subvencionimi i ri, i cili u diskutua me përfaqësuesit e studentëve, kërkon që ndërhyrjet softuerike të jenë pjesë e platformës m.Shërbime dhe kumtoi se me zgjidhjen e re, studentët do të kenë shumë më tepër privilegje.
“Kemi pasur takim me përfaqësuesit legjitimë të studentëve. Biseduam për këtë çështje dhe si Qeveri ofruam një zgjidhje. Morëm përgjigje nga studentët dhe po punojmë për këtë zgjidhje. Meqenëse ajo kërkon ndërhyrje softuerike për t’u bërë pjesë e platformës m.Shërbime, vlerësojmë se do të fillojë të zbatohet me fillimin e vitit të ri akademik. Jo vetëm që vlera e saj do të jetë shumë më e madhe se kjo që është tani, por zgjidhja do t’u mundësojë studentëve edhe zbritje shtesë në subjektet afariste ku do t’i shpenzojnë ato para, deklaroi Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve gjatë vizitës së punës në Gazi Babë.
Ai theksoi se kjo është qeveria e parë e cila paguan mjete të këtij lloji dhe se do të vazhdojë ta bëjë këtë, ndërsa ndërkohë po realizohen edhe masa të tjera për përmirësimin e kushteve të studimit. Ai theksoi se së fundmi është vënë në përdorim konvikti studentor plotësisht i rinovuar „Stiv Naumov“, ndërsa deri në fund të vitit dyert për pranimin e studentëve do t’i hapë edhe konvikti i rinovuar „Kuzman Josifovski-Pitu“.
“Kemi ndarë rreth 50.000 vauçerë në vlerë prej 15.000 denarësh për pajisje elektronike. Po fillojmë me rikonstruksionin dhe rinovimin e tetë konvikteve shkollore dhe studentore, si dhe po ndërtojmë kampuse universitare në disa universitete. Praktikisht, diçka që nuk është bërë kurrë gjatë këtyre 35-36 viteve, ne po arrijmë ta bëjmë për dy vjet e gjysmë”, shtoi Mickoski.

