Pas një pune intensive gjatë gjithë verës, Teatri i Tetovës është gati të sjellë para publikut premierën e shfaqjes “Magjistari i Ozit”, ditën e Hënë me regji të Kushtrim Bekteshit. Drejtori i Teatrit të Tetovës, Hasim Memishi-Sopi, thotë se bëhet fjalë për një nga projektet më të mëdha të realizuara nga ky teatër, duke veçuar veçanërisht punën e stafit teknik, aktorëve dhe ekipit artistik.
“‘Magjistari i Ozit’ është premiera e tretë për këtë vit në teatrin tonë. Mendoj se është shfaqja më madhështore që kemi punuar deri më tani. Dua t’i falënderoj të gjithë, sidomos stafin teknik, i cili ka punuar gjatë gjithë verës për përgatitjen e skenografisë, kostumografen, aktorët dhe, sidomos, regjisorin, i cili ka punuar pa fund që publiku të shohë një mrekulli në premierën e kësaj shfaqjeje.”, u shpreh për TVM2 drejtori i Teatrit të Tetovës, Hasim Memishi-Sopi.
Regjisori Kushtrim Bekteshi e sheh këtë shfaqje edhe si një mundësi për të reflektuar mbi rrugëtimin kulturor dhe identitetin e shqiptarëve. Duke folur për Tetovën dhe zhvillimin e saj kulturor, Bekteshi e lidh këtë rrugëtim me institucionet që kanë luajtur rol në formësimin e jetës shoqërore dhe kulturore shqiptare.
“Nganjëherë edhe unë nuk e kam besuar se do të arrijmë. Jo në aspekt të potencialit artistik, por ne aspekt të kërkesave teknike që i ka shfaqja dhe duke e ditur se kjo hapësirë e Teatrit të Tetovës është shumë i vobektë me kushte, nuk e ka infrastrukturën bashkëkohore, mirëpo shfaqjen kur do ta shohë publiku do të mendojë publiku se është vërtetë teatër i plotësuar dhe besoj që publiku do të shohë një shfaqje të pasur.”, u shpreh për TVM2 regjisori Kushtrim Bekteshi.
Në këtë produksion, aktorja Sheqerie Iljazi interpreton rolin e Doroti’s, një vajzë e guximshme dhe kurioze, e cila gjatë rrugëtimit të saj zbulon më shumë për veten, miqtë dhe rëndësinë e shtëpisë.
“Të jesh një vajzë e guximshme, kurioze dhe e ndjeshme, e cila gjatë rrugëtimit të saj mëson shumë për veten, për botën dhe për miqtë e saj, por mbi të gjitha mëson çfarë do të thotë të kesh një vend siç është shtëpia. E kam ndërtuar këtë rol me shumë dashuri, bashkë me profesorin, me shumë punë dhe shumë durim. Jemi munduar ta sjellim në një mënyrë shumë të sinqertë, në mënyrë që publiku ta përjetojë bashkë me Dorotin këtë shfaqje.”, u shpreh për TVM2 aktorja Sheqerie Iljazi.
Shfaqja “Magjistari i Ozit” do të jepet në Teatrin e Tetovës më 7, 8, 9 dhe 10 shtator, në ora 20:00, duke i ofruar publikut një tjetër produksion të madh skenik në fillim të sezonit të ri teatror.
