EVN Maqedoni dhe Shoqata Ekologjike Maqedonase nisin projekt për mbrojtjen e shpendëve të rrezikuar

Nga B.M
81 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup,17 prill, Zhurnal.mk – Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të Delegacionit të BE-së në vend dhe institucioneve përkatëse, në “Europe House” në Shkup u mbajt konferencë për shtyp e organizuar nga EVN Maqedoni dhe Shoqata Ekologjike Maqedonase (MESH), me të cilën zyrtarisht u shënua fillimi i projektit ndërkombëtar “Tela të sigurt për shpendët e rrezikuar” (101216021 – LIFE24-NAT-BG-EP for Birds LIFE).

Në event morën pjesë përfaqësuesja e Delegacionit të BE-së në vend, znj. Mari-Madlen Kanelopulu, zëvendësministri i Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, z. Miroslav Labudoviq, udhëheqësi i Sektorit për Natyrë në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe njëherazi person kontaktues kombëtar për Programin LIFE, z. Vlatko Trpeski, kryetari i Bordit Drejtues të EVN Maqedoni, z. Vollfgang Maier, si dhe drejtoresha ekzekutive e Shoqatës Ekologjike Maqedonase, znj. Robertina Brajanovska.

Përmes këtij projekti, gjatë pesë viteve të ardhshme do të punohet në mbrojtjen e llojeve globalisht të rrezikuara, shqiponjës perandorake dhe shkabës egjiptiane në Maqedoninë e Veriut, Turqi dhe Bullgari, duke reduktuar rreziqet nga goditjet elektrike dhe përplasjet me infrastrukturën ekzistuese energjetike.

Projekti bashkon kompani të elektrodistribuimit dhe organizata kompetente joqeveritare nga Maqedonia, Bullgaria dhe Turqia. Shoqata Ekologjike Maqedonase dhe EVN Maqedoni do të zbatojnë aktivitetet e planifikuara në territorin e vendit, në rajonet Ovçe Pole, Gradsko, Demir Kapi dhe rajonin e Tikveshit, të cilat janë kyçe për shumimin, migrimin dhe dimërimin e shqiponjës perandorake dhe shkabës egjiptiane.

Vollfgang Maier, kryetari i Bordit Drejtues të EVN Maqedoni, deklaroi se për kompaninë, qëndrueshmëria nuk është vetëm një koncept, por një objektiv strategjik afatgjatë. Mbrojtja e biodiversitetit është pjesë integrale e vizionit për një sistem energjetik modern dhe të qëndrueshëm. “Menaxhimi i rrjetit sjell një përgjegjësi të dyfishtë: të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët dhe njëkohësisht, të mbrojmë natyrën që na rrethon” theksoi ai.

Drejtoresha ekzekutive e Shoqatës Ekologjike Maqedonase, mr. Robertina Brajanovska, ndau se organizata punon për mbrojtjen e natyrës për më shumë se pesë dekada, çka gjithmonë ka nënkuptuar bashkëpunim me aktorët relevantë. “Bashkëpunimi me EVN Maqedoni filloi që në vitin 2010, kur identifikuam linjat e tensionit ku duhej të vendoseshin platforma folezimi për lejlekun e bardhë. Më pas vijoi vendosja e dhjetëra shtëpizave për folezimin e bletëngrënësit blu në Maqedoninë Qendrore dhe Lindore, si dhe instalimi i 200 izolatorëve në linja të rrezikshme për shpendët në Ovçe Pole. Me këtë projekt, në fakt, e thellojmë bashkëpunimin, për herë të parë në rolin e partnerëve të barabartë.”

Ngjarja u përmbyll nga koordinatoret e projektit, Hrisanti Angelovska nga EVN Maqedoni dhe Danka Uzunova nga Shoqata Ekologjike Maqedonase, të cilat prezantuan më në detaje aktivitetet e planifikuara dhe objektivat e projektit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër