Fatmir Bytyqi: Marrëveshja e Ohrit mbetet themel i bashkëjetesës dhe barazisë në Maqedoni

Nga R.ZH
1,187 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 gusht, Zhurnal.mk – Deputeti Fatmir Bytyqi në një shkrim publik, në fejsbuk profilin e tij, ka theksuar rëndësinë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në 25-vjetorin e saj, duke vlerësuar se ajo mbetet një nga mësimet më të rëndësishme shtetformuese për Maqedoninë e Veriut. Bytyqi ka theksuar se bashkëjetesa nuk është vetëm një koncept politik, por një vendim i përditshëm që kërkon përkushtim institucional, njerëzor dhe moral, transmeton Zhurnal.mk.

“Njëzet e pesë vjet pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Maqedonia duhet të kujtojë një nga mësimet e saj më të rëndësishme shtetformuese: se bashkëjetesa është vendim i përditshëm politik, njerëzor dhe moral”, ka shkruar Bytyqi.

Sipas tij, Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk e dobësoi shtetin, por përkundrazi e hapi atë drejt gjithëpërfshirjes dhe largimit nga logjika e përçarjeve dhe frikës.

Ai kritikoi përpjekjet që, sipas tij, në vitet e fundit synojnë ta reduktojnë shtetin në një narrativë etnocentrike dhe njëdimensionale.

“Kur në dy vitet e fundit janë shtuar hapur përpjekjet që shteti të ngushtohet në një kujtesë etnocentrike dhe njëdrejtimëshe, në simbole të përvetësuara partiakisht dhe në kremtime që e shohin Maqedoninë vetëm përmes një dritareje identitare, ekziston një detyrim moral që publikisht të thuhet se kjo është varfërim i atdheut”, ka theksuar deputeti.

Bytyqi vlerëson se Marrëveshja e Ohrit nuk duhet të mbetet vetëm një dokument historik, por të shërbejë si kriter për matjen e pjekurisë demokratike të shoqërisë dhe funksionimit të institucioneve.

Ai nënvizoi se sfida kryesore mbetet ndërtimi i institucioneve që u shërbejnë të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë dhe që gjuhët, kulturat dhe komunitetet e ndryshme t’i trajtojnë si pasuri të përbashkët.

Në fund, Bytyqi porositi se e ardhmja e vendit është e lidhur ngushtë me ruajtjen e vlerave të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

“Maqedonia ka të ardhme vetëm si republikë e përbashkët evropiane e qytetarëve të lirë, të barabartë dhe dinjitozë. Ky është shpirti i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe kuptimi i pavarësisë”, ka theksuar ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër